Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjermania dhe Franca sinjalizojnë unitet në rimëkëmbjen ekonomike të BE

schedule16:14 - 12 Shkurt, 2026

schedule 16:14 - 12 Shkurt, 2026

Kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë shfaqur unitet në lidhje me mënyrën se si mund të rimëkëmbet ekonomia në vështirësi e Evropës, pas disa mosmarrëveshjeve publike të kohëve të fundit.

“Ne duam të sigurohemi që të kemi një industri konkurruese në Evropë”, tha Merz përpara takimit te liderëve të BE-së, në Bruksel.

Bisedimet pranë Rijkhovenit në lindje të Belgjikës, u përqendruan në mënyrën se si BE-ja duhet t’i përgjigjet konkurrencës së fortë globale dhe të përballet me sfidat e brendshme për të zhbllokuar rritjen ekonomike.



Megjithatë, qasjet në Berlin, Paris dhe në kryeqytete të tjera evropiane për adresimin e këtyre çështjeve mbeten të ndryshme.

Merz ka mbrojtur idenë e uljes së burokracisë për të lehtësuar barrën për bizneset, reduktimin e barrierave tregtare mes vendeve anëtare të BE-së dhe nënshkrimin e më shumë marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

Nga ana tjetër, Macron ka kërkuar borxh të përbashkët evropian – një ide që Gjermania e ka kundërshtuar – dhe është shprehur kundër një marrëveshjeje të fundit të tregtisë së lirë mes BE-së dhe katër vendeve të Amerikës Latine, duke promovuar konceptin e dhënies së përparësisë kompanive evropiane.

Duke folur së bashku, Merz dhe Macron sinjalizuan se qëndrimet e tyre po pajtoheshin.

“Besoj se ndajmë të njëjtën ndjenjë urgjence, që Evropa duhet të ndërmarrë veprime shumë të qarta”, tha Macron.

Presidenti francez theksoi se Franca dhe Gjermania do të bien dakord veçanërisht për harmonizimin e tregjeve të kapitalit në të gjithë BE-në.

Komisioni Evropian ka propozuar thjeshtimin e rregullave kombëtare për të krijuar të ashtuquajturin “union të kursimeve dhe investimeve”, megjithatë harmonizimi i rregullave financiare në Evropë ka rezultuar i vështirë në të kaluarën.

Ndërkohë, frustrimi për ritmin e ulët të reformave po rritet. Problemet ekonomike të Evropës, përfshirë çmimet e larta të energjisë, burokracinë e zgjeruar dhe normat e ulëta të rritjes ekonomike, kanë qenë të pranishme prej vitesh.

Liderët e BE-së të mbledhur në Alden Biesen, Bruksel nuk pritet të marrin vendime konkrete për reforma, por të hapin rrugën për vendime që pritet të merren në mars dhe në muajt në vijim.

Dy raporte të rëndësishme mbi sfidat ekonomike të bllokut, të hartuara nga ish-kryeministrat italianë, Mario Draghi dhe Enrico Letta, u konsideruan si kambanë alarmi në kohën e publikimit të tyre në vitin 2024.

Raporti i ish-kreut të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, argumenton se BE-ja ka nevojë për investime masive dhe një ndjenjë të re uniteti nëse dëshiron të mbetet ekonomikisht relevante.

Megjithatë, në janar, Këshilli Evropian për Inovacionin në Politika tha se vetëm 15% e rekomandimeve të paraqitura nga Draghi ishin zbatuar plotësisht deri tani.

Në mbrëmjen e samitit në Rijkhoven, përfaqësues të industrisë evropiane u bënë thirrje liderëve të BE-së të përballeshin me sfidat ekonomike me më shumë urgjencë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!