Është votuar në seancën plenare të kësaj të enjteje, në Kuvendin e Shqipërisë me 92 vota pro “Pafajësia për udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndeti këtë deklaratë dhe nënvizon se angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive. Në këtë moment të vështirë për drejtuesit e asaj lufte dhe për familjet e tyre, Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare. Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
/abcnews.al/


