Kush qendron me të vertetë pas minishengenit? ‘Express’ publikon kabllogramin

schedule16:03 - 24 Dhjetor, 2019

schedule 16:03 - 24 Dhjetor, 2019

Samiti i liderëve të Ballkanit, mbajtur fundjavën që shkoi në Tiranë ka ngjallur një debat të ethshëm në Shqipëri e Kosovë. Kjo për shkak se Rama po avancon me projektin e minishengenit, që nënkupton lehtësi në dogana, mes Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, dhe Maqedonisë, por mungon Kosova. Së fundmi, gazeta online në Kosovë, Express ka publikuar një shkrim ku thotë se pas minishengenit qendron fondacioni Soros dhe ish-zyrtarja amerikane Nuland. Do të pritet për tu parë nëse ky është vetem konsipacion apo fakt…

Shkrimi:

Gazeta Express ka siguruar një kabllogram që tregon origjinën e iniciativës që njihet si “minishengeni ballkanik”, të cilën po tentojnë ta jetësojnë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në bazë të këtij dokumenti, prapa kësaj ideje qendron Fondacioni për Shoqëri të Hapur i miliarderit George Soros. Në letër, ideja është hedhur nga ish-zyrtarja e lartë Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ndërkohë që në terren e ka shtyrë Aleksandër Soros, djali i miliarderit të famshëm.

Nga dokumenti që e ka siguruar Gazeta Express del se kjo iniciativë nuk është sponsoruar nga Amerika dhe Europa, por nga një miliarder. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se e mbështesin këtë iniciativë vetëm në parim, pasi ato inkurajojnë bashkëpunimin rajonal, por sic e kanë potencuar vetëm nëse një gjë e tillë i përfshin të gjithë. Madje edhe kur Rama ia dha lirinë Vuçiçit ta shpjegojë idenë në Paris para Macronit, Presidenti francez e kishte pyetur nëse ajo është “all inclusive”.

Në dokumentin e MPJ-së që e ka parë Gazeta Express thuhet se “kjo iniciativë është ideuar nga Victoria Nuland (ish -zyrtare e lartë në State Department), që aktualisht është e angazhuar në sektorin privat dhe është sponsoruar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (SOROS) përkatësisht nga Alexander Soros.

Më tej, në dokument theksohet se përgatitjet intensive për këtë kanë filluar nga muaji shtator ndërkohë që rikujtohen edhe takimet e Nuland dhe Soros në Tiranë, Beograd dhe Shkup.

Dokumenti tërheq vërejtjen për rreziqet që i kanosen Kosovës në aspektin politik. Aty thuhet se Minishengeni i jep Serbisë mundësi që të dëshmohet si faktor konstruktiv në rajon pa përmbushur asnjë detyrim karshi Kosovës. Sugjerohet madje që Kosova t’i kundërvihet kësaj inciative në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi për shkak se Podgorica ka refuzuar ose ka rezerva ndaj projektit. Por, sic po shihet tashmë Rama ka zgjedhur tjetër rrugë duke sulmuar Kosovën dhe duke bashkëpunuar me Vuçiqin.

“Nëse Kosova nuk reagon me kohë, ka rrezik që njohja reciproke, si produkt final i marrëveshjes Kosovë- Serbi, të zëvendësohet me qasje të barabartë në platforma të tilla. Kjo do t’i mundësonte Serbisë që të avancoj në axhendën europiane pa e njohur Kosovën” thekson dokumenti. Aty po ashtu tërhiqet edhe vërejtja edhe për kostot ekonomike në dëm të Kosovës” theksohet në dokument.

Nisma për minishengen ka acaruar marrëdhëniet Kosovë -Shqipëri. Rama përvec sulmeve ndaj lidershipit kosovarë ka thënë se Serbia ka pranuar që kjo ide të jetësohet pa asnjë kusht, që është një dezinformatë nga ana e shefit të qeverisë shqiptare, pasi Serbia në format të tillë nuk do ta pranonte kurrë shtetësinë e Kosovës nisur madje as nga diçka elementare sic është ekspozimi i flamujve e as nuk do të mund të udhëtonin drejt Serbisë në takimet me rotative./gazeta Express