Ushtria turke ka kryer këtë të shtunë sulmet e para ajrore në Siri, duke vënë në shënjestër milicitë kurde të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. E ndërsa marrëdhëniet me Amerikën mund të acarohen, Rusia, aleate e Turqisë, ka deklaruar se do të mbajë një qëndrim neutral në këtë konflikt.
Ushtria turke ka deklaruar se avionët e saj luftarakë kanë kryer këtë të shtunë sulme ajrore ndaj bazave kurde në veri të Sirisë, një lëvizje kjo që ka gjasa të acarojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ushtria turke po përpiqet kështu të heqë qafe luftëtarët kurdë nga rajoni Afrin, që kontrollohet prej tyre që prej vitit 2012. Disa fraksione të tyre ndihmuan ushtrinë amerikane në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Ndërkohë, nga mediat ndërkombëtare raportohet se rebelë pro-Turqisë po avancojnë në rrugë tokësore drejt rajonit në fjalë. Më herët Ankaraja zyrtare kishte kërcënuar për një operacion ushtarak masiv kundër kurdëve, të cilët i konsideron terroristë. Vetë presidenti Erdogan kishte deklaruar se më pas do të kryente bombardime edhe në Manbij, një tjetër qytet me dendësi kurde pranë Afrinit. Ndërkohë, Rusia, një lojtar kyç në rajon dhe aleate e Erdogan, ka deklaruar se nuk do të përzihet në këtë konflikt. Nga ana tjetër edhe qeveria siriane kishte shprehur qëndrimin e saj kundër operacioneve ajrore dhe madje paralajmëruar se do t’i rrëzonte avionët turq. Njësia për Mbrojtjen e Popullit Kurd të Sirisë ka luajtur një rol vendimtar në luftimin e grupit të njohur si Shteti Islamik në Siri dhe është mbështetur në aksionet e saj nga Shtetet e Bashkuara. Por Turqia insiston se ky fraksion ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit dhe ka kërcënuar se do t’i fshijë anëtarët e saj nga territoret e Afrinit dhe Manbijit./abcnews.al