Prokurorët për krimet financiare në Francë kanë njoftuar se kanë hapur një hetim paraprak ndaj ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, financierin amerikan të akuzuar për abuzime seksuale, i cili vdiq në vitin 2019.
Jack Lang, një figurë e rëndësishme e qeverive socialiste franceze nga vitet 1980 deri në fillim të viteve 2000, po hetohet për dyshime mbi “pastrim të të ardhurave që rrjedhin nga evazioni fiskal”.
Hetimi pason publikimin nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të të ashtuquajturave “dosje Epstein”, të cilat dokumentojnë lidhje mes familjes Lang dhe Epstein.
Lang, 86 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si “të pabazuara”. Në një deklaratë për AFP, ai tha se hetimi “do të hedhë dritë mbi akuzat që vënë në dyshim ndershmërinë dhe nderin tim”.
Disa orë pas njoftimit për hapjen e hetimit, Lang ofroi dorëheqjen nga posti i drejtorit të Institutit të Botës Arabe, një institucion që synon të promovojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet mes Francës dhe vendeve arabe. Në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot, të parë nga AFP, ai shprehet se do ta paraqesë zyrtarisht dorëheqjen në mbledhjen e ardhshme të bordit drejtues.
Deri më tani, ish-ministri kishte refuzuar presionet për t’u larguar nga kjo detyrë. Barrot, i cili e kishte thirrur Lang për bisedime, konfirmoi se kishte marrë në konsideratë ofertën e dorëheqjes dhe se do të nisë procedurat për gjetjen e një pasuesi.
Në dosjet Epstein, emri i Jack Lang përmendet afro 700 herë.
Në hetim është përfshirë edhe vajza e tij, Caroline Lang, 64 vjeçe, e cila këtë javë dha dorëheqjen nga posti i kryetares së sindikatës franceze të producentëve të filmit.
Jack Lang ka deklaruar se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein në kohën kur ishte takuar me të rreth 15 vite më parë. Epstein ishte dënuar në Florida në vitin 2008 për kërkim të shërbimeve seksuale nga një e mitur.
Ish-ministri, i cili ka shërbyer si ministër i Kulturës nga viti 1981 deri më 1993 dhe më pas si ministër i Arsimit, tha se ishte prezantuar me Epstein nga regjisori dhe aktori amerikan Woody Allen. Sipas tij, Epstein i ishte dukur “i apasionuar pas artit, kulturës dhe kinemasë”.
Në një intervistë për radion RTL, Lang e përshkroi Epstein si “bujar” dhe “i sjellshëm”, duke shtuar: “Kur takoj njerëz, nuk u kërkoj të shoh dosjen penale”.
Sipas detajeve të publikuara nga media franceze, Lang dyshohet se i është drejtuar Epstein-it në disa raste për mbështetje financiare ose favore, përfshirë përdorimin e makinës dhe avionit privat të tij për veten dhe familjen.
Caroline Lang i tha portalit Mediapart se ishte takuar me Epstein në vitin 2012, kur ai i kishte shprehur interes për të investuar te artistë të rinj francezë dhe ndërkombëtarë. Ajo deklaroi se avokatët e Epstein kishin krijuar një kompani, Prytanee LLC, me seli në Ishujt e Virgjër Amerikanë.
Sipas Mediapart, Caroline Lang zotëronte gjysmën e aksioneve të kësaj kompanie, por ajo mohoi të kishte investuar ose përfituar fonde prej saj. Një email i përfshirë në dosje sugjeron se ajo kishte kontribuar me njohuritë e saj në fushën e artit. Ajo e cilësoi veten “jashtëzakonisht naive”.
Duke njoftuar dorëheqjen nga sindikata e producentëve, ajo u shpreh: “Nuk dua që kjo situatë të dëmtojë në asnjë mënyrë organizatën”.
Dosjet nuk sugjerojnë se Jack Lang apo vajza e tij kanë qenë të përfshirë në krimet seksuale të Epstein.
Publikimi më i fundit i dosjeve Epstein nga qeveria amerikane, që përfshin miliona dokumente, përmban emra të personave të pasur dhe me pushtet nga e gjithë bota. Përmendja në këto dokumente nuk nënkupton domosdoshmërisht përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Jeffrey Epstein vdiq në burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.


