Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare Brad Arnold, këngëtari dhe themeluesi i grupit 3 Doors Down. Ishte grupi muzikor që ndau lajmin, ndërsa shpjegoi se artisti ndërroi jetë pas një beteje të guximshme me kancerin.
“Së bashku me bashkëshorten e tij të dashur Jennifer dhe familjen pranë tij, ai u nda nga jeta në paqe, i rrethuar nga njerëzit që e donin,” thuhej në deklaratën e grupit. “Muzika e tij jehon shumë përtej skenës, duke krijuar momente të lidhjes mes njerëzve, gëzimit, besimit dhe përvoja të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur.”
Arnold kishte njoftuar në maj të vitit 2025, përmes një videoje, se ishte diagnostikuar me kancer të veshkave në fazën e katërt.
Për shkak të sëmundjes, grupi “3 Doors Down” u detyrua të anulonte turneun e tij veror. Pavarësisht diagnozës së rëndë, këngëtari ishte shprehur se nuk kishte frikë.
I lindur në Mississippi të Shteteve të Bashkuara, Brad Arnold themeloi grupin “3 Doors Down” në vitin 1996 së bashku me kitaristin Matt Roberts dhe basistin Todd Harrell. Roberts ndërroi jetë në vitin 2016 nga një mbidozë e dyshuar droge, ndërsa Harrell u largua nga grupi pas disa akuzave për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një akuze për vrasje nga pakujdesia në trafik.
Vetë Arnold kishte folur hapur për betejën e tij me alkoolin, duke treguar se nuk kishte pirë përgjatë dekadës së fundit. Në një intervistë të janarit të vitit 2025, artisti kishte deklaruar se vitet pa alkool kishin qenë “vitet më të mira” të jetës së tij.
Hiti më i madh i grupit ishte kënga “Kryptonite”, e publikuar në vitin 2000, e cila u nominua për çmimin Grammy. Ajo ishte shkruar nga Arnold kur ishte vetëm 15 vjeç, gjatë orës së matematikës, sipas deklaratës së grupit. Një tjetër hit i grupit është edhe “Here Without You”.


