Për malësorët, kulla ishte më shumë se një shtëpi. Ishte strehë e shpirtit, derë e hapur për mikun, betim i besës dhe simbol i qëndresës ndër breza. Në çdo gur të vendosur lexohet historia e një populli, ndërsa arkitektura e kullës mbetet një pasuri e rrallë e etnokulturës sonë.
Arrëni, fshati më i largët i Kukësit, mbetet edhe më i veçanti, aty ku kullat ngrihen si rojtarë të kujtesës.
Edhe pse koha ka lënë gjurmët e saj dhe disa prej tyre janë braktisur, kullat ende flasin. Qëndrojnë të heshtura, por madhështore, duke ruajtur hijeshinë e dikurshme dhe krenarinë e ndërtimit.
Muret e trasha prej guri, qoshet e skalitura me mjeshtëri, janë shenja dalluese që i japin kullës karakter dhe identitet. Misin Doci është një prej banorëve të Arrënit, që rrëfen historinë e dy kullave të familjes së tij, të ngritura në një kohë kur Shqipëria ishte mbretëri.
Janë ndërtuar vetëm me gurë, rërë dhe gëlqere. Me vështirësitë e mëdha të transportit, Misini tregon se gurët janë marrë nga vetë kjo zonë.
Kulla të tilla ndërtoheshin nga vetë të zotët e shtëpisë. Kullat nuk shërbenin vetëm për familjen.
Misini tregon se miqtë nuk mungonin kurrë. Çdo natë kishte derë të hapur, dhe nga këto kulla familja e tyre u rrit deri në 400 anëtarë. Sot, Misini po i rikthen jetë kullës. Djali i tij ka ardhur nga Franca, për të investuar në rijetëzimin e saj.
Edhe pse Arrëni është braktisur, për këtë banor fshati mbetet i jetueshëm. Për këtë arsye, edhe djemtë kanë zgjedhur të kthehen, për të kaluar një pjesë të vitit këtu.
Kullat u ndërtuan të larta për t’u përballur me ashpërsinë e motit, me dimra të gjatë dhe dëborë që dikur mbulonte gjithçka, deri mbi dy metra.
Sot Misini është në pension dhe prej dhjetë vitesh qëndron në Arrën gjatë verës. Merret me çdo punë, ndërsa në duar mban gurët e oxhakut.
Ai thotë se punimi i gurit kërkon durim dhe kujdes, për ta rikthyer kullën ashtu siç ka qenë dikur. Ky fshat dikur numëronte rreth 700 familje, ndërsa sot vetëm rreth 60 prej tyre vazhdojnë të jetojnë këtu.


