Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, njoftoi të martën planet për të ndaluar të miturit nën 16 vjeç të hyjnë në platformat e mediave sociale, si pjesë e një shtytjeje më të gjerë për të forcuar mbikëqyrjen.
“Ne do t’i mbrojmë ata nga perëndimi i egër i botës digjitale. Rrjetet sociale janë bërë një shtet i dështuar, ku ligjet injorohen dhe krimet tolerohen”, tha ai.
Sanchez theksoi se platformat do të duhet të prezantojnë masa verifikimi të moshës për akses.
Sanchez tha se qeveria do të miratojë një projektligj javën e ardhshme që do t’i mbajë drejtuesit e platformave digjitale penalisht përgjegjës për shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme. Ai gjithashtu u kërkoi prokurorëve të hetojnë përmbajtjen e paligjshme në platforma.
Ai shtoi se Spanja do ta bëjë manipulimin e algoritmeve një vepër penale. “Dezinformimi nuk del nga askund”, theksoi Sanchez.
Sanchez përmendi shembuj të aktivitetit të dyshuar kriminal, duke përfshirë pretendimet se pornografia e fëmijëve është krijuar duke përdorur mjetin e inteligjencës artificiale Grok ose është përhapur në platforma të tjera të mediave sociale.
Ai gjithashtu vuri në dukje dezinformimin që, sipas tij, Elon Musk, CEO i X, përhapi rreth planit të Spanjës për të legalizuar rreth 500.000 emigrantë.
“Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” paralajmëroi Sanchez.
Ai pranoi se lufta për t’i bërë platformat më të sigurta nuk do të jetë e lehtë.
“Kompanitë e mediave sociale janë më të pasura se shumë vende, përfshirë edhe timen, por fuqia dhe ndikimi i tyre nuk duhet të na trembin,” tha ai.


