Andi Matraxhiu, menaxher futbolli, ka qenë disa herë i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC News, duke dhënë mendimet e tij për çështje të ndryshme, si dhe duke zbuluar prapaskena merkatoje. Duke parë që Ernest Muçi është kthyer në një temë diskutimi pas dy golave që i shënoi Laçit, ai ka rikthyer në skenë një deklaratë të bëra në një prej puntatave të emisionit të drejtuar nga Gerti Çarcani dhe Einxhel Shkira.
“Ka një defekt që e shikoj unë si menaxher. Tirana ka një lojtar, prodhim i akademisë, si Muçi. Atë e kamuflon me Dungën. Nuk e di pse afrohet Dunga, kur Muçi është shumë cilësor. Ai ishte cilësor vetëm në pjesën e dytë të sezonit”, deklaronte Matraxhiu, i cili ka publikuar pamje gjatë emisionit, ndërkohë që ka edhe diçka tjetër për të thënë.
“Nuk kam asnjë lidhje menaxheriale me futbollistin Muçi, por vazhdimisht kam ngritur zërin që ky lojtar duhet të kishte hapësirat e duhura tek Tirana. U desh fatkeqësisht dëmtimi i Dungës që ai të shfaqej.
Klubet dhe trajnerët tanë duhet të ndryshojnë mentalitet për elementin e ri. Futbolli nuk është vetëm biznes, por atëherë kur janë mundësitë, përse mos ta kthejmë edhe në biznes?”, shkruan Matraxhiu në llogarinë e tij në “Instagram”. /abcnews.al