Ishte e pabesueshme ajo që ndodhi. Ata që ndoqën ndeshjen e La Ligës në stadiumin “Martinez Valero” të Elçes nuk arrijnë ta kuptojnë sesi Barcelona e fitoi vetëm 3-1 sfidën e La Ligës.
Luhet java e 22-të e kampionatit spanjoll dhe katalanasit mund të thuhet se e bënë detyrën, por ajo që shpërdoruan ishte e dënueshme, dhe mund t’i kishte ndëshkuar.
Tre shtylla, raste deri edhe me portën e boshatisur, ndërsa patën 28 gjuajtje, gati një në çdo tre minuta, e 10 prej tyre në portë. Rreth 33 000 spektatorë në Arenën e futbollit padyshim që e shijuan lojën e katalanasve, edhe pse I kishin kundërshtarë, e sidomos të atij që ende është adoleshent, Lamin Jamalit. Talenti “blaugrana” shënoi golin e parë, krijoi të tretin, dhe u dha mundësi shokëve të tundnin edhe më shumë rrjetën, ndonëse ata gabuan.
Padyshim që Rafinja është lideri I Barçës, edhe pse konsiderohet kapiteni I tretë, ndërsa golat e tjerë në Elçe I shënuan Ferran Torres dhe Markus Rashford. Trajneri Hansi Flik po ia del në një ekip me shumë probleme, me Pedrin e Gavin të dëmtuar, por të paktën Ronald Arauho u kthye në fushë.
“El Mundo Deportivo”, që kremton 120 vjetorin e themelimit me formatin klasik, titullon: Me tre mjafton! Lideri nuk gaboi, fali një goleadë! E përditshmja tjetër e Katalonjës, “Sport”, mjaftohet me titull lakonik: Më shumë lider, dhe me foton e madhe të Lamin Jamalit! “Marka” e Madridit thekson pikërisht se Barça e meritoi fitoren, se humbi raste pa fund dhe se nuk ka qetësi në një sezon të vështirë.
Barcelona kryeson me 55 pikë, ndonëse Reali nuk është larg dhe lufta për titull duket se do të vazhdojë deri në fund.


