Situata e politikës botërore është serioze dhe e vështirë – por sjell edhe shanse për Gjermaninë dhe Europën: Kështu mund përmblidhet thelbi i deklaratës qeveritare tëkancelarit Friedrich Merz në Bundestag (29.01.2026).
Po fryn një erë e ashpër në botë, e cila gjithnjë e më shumë po karakterizohet nga fuqitë e mëdha. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme, që Europa tani të tregojë forcë – dhe më shumë vetëdije në politikën e pushtetit.
Europianët mund t’i realizojnë përfytyrimet e tyre qoftë edhe pjesërisht vetëm nëse e mësojnë edhe vet “gjuhën e politikës së pushtetit”, tha Merz. Europa nuk është vetëm një zonë e fuqishme ekonomike me shumë potencial ekonomik, por është edhe një vend i vlerave dhe i rendit. Kjo duhet ruajtur dhe zgjeruar. “Ne ndodhemi nën presion nga shumë anë”, tha politikani kristiandemokrat. Por prej kësaj mund të dalë edhe diçka: Europa gjithmonë është forcuar, kur është ndodhur nën presion.
Detyrat për Europën
Europa është në botë edhe një alternativë normative ndaj imperializmit dhe autokracisë, tha Merz. Sipas kancelarit, si rrjedhojë janë tri fusha, ku Europa duhet të dëshmojë veten. Së pari Europa duhet ta marrë vet në dorë sigurinë dhe të ulë varësinë në sektorin e teknologjisë si dhe në mbrojtje. Me këtë ai ka parasysh varësitë prej SHBA-së, prej mburojës nukleare të së cilës Europa edhe për një të ardhme të afërt do të vazhdojë të jetë e varur.
Shembull pozitiv nga grindja për Groenlandën
Nga ana tjetër ekonomia europiane duhet të jetë e aftë për konkurrencën dhe Europa duhet të prezantohet e bashkuar. Në sfondin e kërkesës së përsëritur të presidentit të SHBA-së Donald Trump, se do të aneksojë Groenlandën, kancelari tha, se së fundi për fat Europa mundi ta ndiejë “respektin ndaj vetes”.
Në përshkallëzimin e përkohshëm të konfliktit për Groenlandën Trump kërcënoi fillimisht disa vende europiane aleatë në NATO me tarifa të larta doganore – ndër to edhe Gjermaninë.
Pastaj ai u tërhoq – pasi europianët bënë të qartë, se nuk do ta pranonin këtë duke reguar gjithashtu reciprokisht me tarifa doganore: Tani duhet vepruar me këtë “vetëdije të rizgjuar të europianëve”, nënvizoi Merz. Ai iu referua samitit të posaçëm të BE-së në shkurt. Në këtë samit do të diskutohet kryesisht se si BE-ja mund të bëhet sërish e aftë për konkurrecë. Merz vuri në dukje, se dihet cilat janë kantieret ku duhet punuar.


