Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi stuhia e fuqishme Kristin përfshiu Portugalinë qendrore dhe veriore, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të mëdha materiale.
Erërat e forta, që arritën deri në 178 km/orë, rrëzuan pemë, çati dhe struktura, ndërsa mbi 850 mijë persona mbetën pa energji elektrike. Distrikti i Leirias ishte ndër zonat më të goditura, ku u raportuan shumica e viktimave.
Transporti rrugor dhe hekurudhor u paralizua, dhjetë zona bregdetare u vendosën nën alarm të kuq për shkak të dallgëve deri në 14 metra, ndërsa autoritetet mbeten në gjendje alarmi maksimal. Kryeministri i Portugalisë shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa po vlerësohen dëmet në shkallë kombëtare. / abcnews.al /


