Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka dënuar sërisht me 15 vite burg për Moisi Habilajn, i shpallur fajtor për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij ulet me një të tretën, duke përfunduar në 10 vite heqje lirie.
I njëjti dënim ishte dhënë edhe në vitin 2021, kur Habilaj u gjet fajtor së bashku me tre të pandehur të tjerë: Nezar Seiti, Maridjan Sulaj dhe Fatmir Minaj. Çështja u rikthye për rishqyrtim, por masa e dënimit ndaj Habilajt mbeti e pandryshuar.
Ndërkohë, për Nezar Seitin, gjykata vendosi një dënim prej 12 vitesh burg nga 13 vite e 6 muaj që ishte dënuar në vitin 2021. Me përfitimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar për të u reduktua në 8 vite burg.
Në rigjykimin e çështjes, akuzat ndaj Maridjan Sulajt dhe Fatmir Minajt u pushuan, pasi rezultoi se ata ishin dënuar më parë me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt penal.
Hetimet për këtë çështje u përfunduan në janar të vitit 2019 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas akuzës, Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij, gjatë disa viteve, kanë trafikuar kanabis drejt Italisë në bashkëpunim me persona të tjerë.
Moisi Habilaj është dënuar më herët edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge. Në të njëjtën çështje, italiani Antonino Riela u dënua me 14 vite burg, ndërsa Meridian Sulaj me 8 vite e 4 muaj dhe Nezar Seitaj me 7 vite e 5 muaj burg.
Çështja e “Habilajve” në tetor të vitit 2017, mori edhe vemdnje politke pas publikimit të dosjes italiane që evidentonte lidhje mes grupit kriminal dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Edhe pse Tahiri u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ai u dënua përfundimisht për shpërdorim detyre. Në të njëjtën çështje, fajtor u shpall edhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela./abcnews.al


