Danimarka synon të bëjë gjithçka që mundet për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me Groenlandën, por pa dorëzuar territor, deklaroi sot kryeministrja Mette Frederiksen.
E pyetur nëse territori i Groenlandës mund t’i kalonte SHBA-së, Frederiksen tha se ”një veprim i tillë është i paimagjinueshëm”.
“Jo, nuk mund të imagjinohet një gjë e tillë”, u shpreh ajo në një intervistë për programin ”Maischberger” të transmetuesit publik gjerman ARD.
Pasi kishte këmbëngulur se SHBA-ja kishte nevojë të zotëronte ishullin kryesisht autonom danez, presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar përjashtoi përdorimin e forcës për ta marrë Groenlandën dhe tha se ekziston një ”kornizë për një marrëveshje të ardhshme lidhur me Groenlandën”.
Deklaratat e tij erdhën pas bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
”Tani kemi një kanal diplomatik me amerikanët dhe duhet të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje”, shtoi kryeministrja daneze.
Frederiksen nuk pranoi të japë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve me SHBA-në dhe tha se nuk është e qartë se sa do të zgjasin negociatat.
”Paralelisht me bisedimet që po zhvillojmë tani me amerikanët, ne evropianët duhet të jemi të qartë me veten se bota e vjetër ka marrë fund”, tha ajo.
”Nuk besoj se ajo do të kthehet. Për ne evropianët, për këtë arsye, është tejet e rëndësishme që të mbështetemi te riarmatimi”, përfundoi Frederiksen.


