Një histori force, sakrifice dhe guximi erdhi nga Gjermania në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit. Rozeta Tare, 51 vjeç, një nënë e tre fëmijëve dhe gjyshe pesë herë, rrëfen rrugëtimin e saj të vështirë drejt një jete të re, aty ku çdo ditë “i punon zborin” autobusëve gjermanë.
Prej tre vitesh në Gjermani, Rozeta ka pas vetes një jetë të mbushur me sfida. Më herët ajo ka jetuar në Greqi, ku ka bërë çdo punë për të mbijetuar: nga pastruese peshku e hotelesh, te shitëse, kuzhiniere dhe herë pas here edhe shofere, duke transportuar punonjës drejt vendeve të punës.
Sot, në Gjermani, ajo ka zgjedhur turnin e dytë, nga mesdita deri në orën 02:00 pas mesnate. “Më mirë punoj natën, sepse nuk e ndiej aq shumë vetminë dhe lodhjen”, thotë Rozeta. Familja e saj ndodhet në Greqi, ndërsa ajo e vetme përballon jetën e emigrantes në një vend të huaj.
Pas një martese 25-vjeçare, Rozeta u detyrua t’i japë fund bashkëjetesës. “Ishte një periudhë shumë e vështirë. Vetmia ndonjëherë është e padurueshme”, rrëfen ajo. Shkaku ishte alkoolizmi dhe bixhozi i bashkëshortit, një realitet që e shtyu të kërkonte rrugëzgjidhje ekonomike në Gjermani.
Puna si shofere autobusi nuk është e lehtë. Sidomos në orët e vona, Rozeta përballet me situata të rrezikshme. “Ka raste që hipin persona problematikë, më së shumti të dehur, pa biletë ose që e kërkojnë me dhunë”, tregon ajo. Në një rast ekstrem, një grua tentoi ta sulmonte fizikisht, dhe vetëm ndërhyrja e një kolegu shmangu më të keqen. “Kam rezistuar disa herë, por nuk dua të rrezikoj punën”, shton ajo.
Megjithatë, Rozeta nuk ndalet. Pas autobusit, sfida e radhës është të bëhet makiniste treni. “I dua shumë trenat. Nëna ime ka punuar faturino në tren”, thotë ajo me emocion. Vendimi është marrë: do të mësojë dhe së shpejti synon të punojë në linjat hekurudhore gjermane. / abcnews.al /


