U firmos në Davos Bordi i Paqes i propozuar nga presidenti amerikan. Nga Bashkimi Evropian firmosi vetëm kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ndërsa Kosova u përfaqësua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Politologu Albinot Maloku tha për Ballkan Update se SHBA-ja nuk i ka marrëdhëniet e mira me Kurtin, por vijon t’i ketë të mira me popullin e Kosovës. Sipas tij, ftesa për në Bordin e Paqes iu bë presidentes Osmani për shkak të kapacitetit të saj të plotë kushtetues.
“Sa i përket raporteve me Qeverinë Kurti, kemi pasur shpjegime nga ana e Uashingtonit se marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk kanë qenë të mira. Një vend pa qeveri nuk mund të ndërmarrë detyrime. Aktorët e tjerë nuk kanë kapacitet kushtetues për të vepruar siç duhet, përveç presidentes Osmani, dhe kjo mund të jetë arsyeja kryesore që u ftua ajo në Bordin e Paqes.
Në gjendjen aktuale, arsyeja pse është ftuar Osmani është se ajo ka kapacitet të plotë kushtetues. SHBA-ja nuk i ka raportet e mira me qeverinë, por i ruan marrëdhëniet e mira me popullin. Fatkeqësia e raporteve tona në politikën e jashtme është se në Kosovë rëndësi i jepet individit. Kosova, në vazhdimësi, duhet ta ketë të qartë pozicionin e saj; ndërveprimet janë personalizuar dhe kjo ka qenë thelbësore.” / abcnews.al /


