PS nuk pret më opozitën. Reforma territoriale do të vijojë edhe pa PD. Bashkëkryetari i Komisionit, Arbjan Mazniku i kërkoi anëtarëve socialistë ti propozojnë Kuvendit, heqjen e bashkwkryetarit, të drejtës së barazisë dhe vetos për deputetët demokratë, në mënyrë që këta të fundit të mos kenë mundësi për shkak të bojkotit të bllokojnë edhe reformën.
“Nuk kemi më kohë për të humbur, kërkoj dakordësinë tuaj, ti propozojmë kuvendit ndryshimin e paritetit dhe të drejtën e vetos, që ti hapim vetes mundësinë për të patur një kuorum e të vazhdojmë komisionin që brenda korrikut të përmbyllim reformën.”
Mazniku la një derë hapur për opozitën, nëse këta të fundit reflektojnë. Por vetëm për tu ulur, dëgjuar edhe dhënë ide, por jo më për të vendosur e votuar.
“Do mbetemi të hapur për opozitën, opozita do ketë vendin e saj këtu, çdo ide, çdo opinion do mirëpritet. Do mbetemi bashkëpunues. “
PS i paralajmëroi, por PD zgjodhi sërish bojkotin. Ndaj dhe e njëjta rrugë pritet të ndiqet edhe me Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Të dyja reformat, si ajo për hartën territorial ashtu dhe për kodin e ri zgjedhor, kanë afat deri në korrik të këtij viti për të përfunduar.


