U mbajtën këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë homazhe me rastin e 15-vjetorit të ngjarjes tragjike të 21 janarit, ku katër qytetarë humbën jetën në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Avokati Idajet Beqiri ngriti akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe institucioneve të drejtësisë gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, duke deklaruar se janë fshirë arkivat e televizioneve dhe se mungojnë pamjet bruto të një ngjarjeje të rëndësishme.
Sipas Beqirit, SPAK nuk ka vepruar siç duhet për mbledhjen e provave, madje as pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ndërsa hapja e dosjes, sipas tij, është meritë e Kolegjit të Lartë. Ai theksoi se drejtësia në Shqipëri nuk është tërësisht e “kalbur”, duke vlerësuar integritetin e disa gjyqtarëve, mes tyre edhe Irena Gjoka, si dhe akuzoi Berishën për veprime politike në bashkëpunim me faktorë grekë për të goditur kundërshtarët.
“Sali Berisha fshiu të gjitha arkivat e televizioneve. Ku janë pamjet bruto të ngjarjes?! SPAK nuk po merrte, nuk e regjistroi edhe pas vendimit të Strasburgut. Meritën që u hap dosja e ka Kolegji i Lartë. Të mos harrojmë që ky vend nuk është i kalbur në drejtësi. Ka persona që nuk vendosin asgjë para integritetit edhe një heroinë e tillë është edhe Irena Gjoka. Berisha dhe Beleri e çfarë nuk po bën me grekët për ta mposhtur. Ka shumë elementë të tillë”, tha Beqiri.
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, u shpreh se ndërtimi i shtetit kërkon kohë dhe nuk mund të realizohet brenda pak vitesh, duke theksuar se sistemi i drejtësisë në të kaluarën ishte i varur nga politika. Klosi vlerësoi se, pavarësisht problemeve, reforma në drejtësi ka sjellë një hap të rëndësishëm përpara dhe se, pas gjashtë vitesh funksionim të sistemit të ri, ekziston ende shpresë për përmirësim.
“Shteti nuk bëhet as për 30 vjet, do kohën e vet. Kaluam nga një sistem dhe tani po përpiqemi që të krijojmë një shtet me parime të tjera. Që duhen disa njerëz, por këta që mund ta bënin këtë janë pak. Njerëzit që kanë shkuar te drejtësia janë shumë pak. Të gjithë që janë te drejtësia kanë interesat e tyre, si të gjithë. Ishte politika që emëronte sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë nuk ishte i pavarur. Kemi 6 vjet me këtë sistemin e ri, dhe mburremi që është bërë një hap i rëndësishëm, po nuk zgjidhet për 6 vjet kjo punë. Por, tani ka një shpresë”, tha Klosi.


