Reshjet e dëborës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të vendit, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë si dhe në zonën e Sarandës.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe patrullat e përgjithshme ndodhen në terren për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve në rast nevoje.
Policia thotë se po bashkëpunon me firmat kontraktore për pastrimin e akseve nga bora dhe shpërndarjen e kripës.
Ndërkohë, në Qafë Thanë është ndaluar përkohësisht qarkullimi i kamionëve për rreth 2–3 orë, deri në pastrimin e rrugës nga borëpastruesja në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore, si dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.


