Nga SHBA-ja, në një lidhje direkte që ngjall kureshtje, debat dhe emocione të forta, erdhi sot në Abc e Mëngjesit historia e pazakontë e Kentah Mystic Shaman, shqiptarit që sot udhëheq një nga ritet më të lashta dhe më enigmatike të njerëzimit: Ayahuasca.
Një ritual 1000–2000-vjeçar, i lindur në zemër të Amazonës peruane, që sot po përjeton një rikthim të fuqishëm në botën moderne, si një formë kërkimi shpirtëror, shërimi të brendshëm dhe transformimi personal.
Ayahuasca nuk është thjesht një çaj shamanik. Për ata që e praktikojnë, është një “shkollë e jetës”, një udhëtim i thellë në mendje, shpirt dhe energji. Dhe çdo udhëtim i tillë, thotë Kentah, duhet patjetër të udhëhiqet nga një shaman, një njeri i urtë, një udhëheqës shpirtëror.
“Shaman do të thotë njeri që udhëheq. Për këtë titull duhen shumë vite studimi, përkushtimi dhe sakrifice.”
Riti amerikanolatin zhvillohet i shoqëruar me këngë, muzikë shamanike dhe rituale të mirëstrukturuara. Ata që e kanë përjetuar, flasin për ndryshime të thella të perceptimit dhe realitetit, ndjesinë e daljes së shpirtit nga trupi, lidhje të veçantë me universin, natyrën dhe “diçka më të madhe” se vetja.
“Ka raste ankthi të fortë, paniku, konfuzioni. Për disa është përvojë transformuese, për të tjerë mund të jetë tronditje psikologjike me pasoja.”
Pikërisht për këtë arsye, kufiri mes terapisë shpirtërore dhe rrezikut është shumë i hollë.
Një rit mund të zgjasë nga 1.5 deri në 8 orë dhe kërkon përgatitje të rreptë. Një javë para ritualit duhet ndjekur një dietë specifike: pa ëmbëlsira, bulmet dhe ushqime picante, një proces që ndihmon në pastrimin e trupit dhe përpunimin emocional.
Ayahuasca është një substancë psikoaktive, por për shamanët ajo mbetet një mjet shpirtëror, jo drogë argëtuese.
Sipas Kentah Mystic Shaman, janë kryesisht vajzat dhe gratë që afrohen më shumë me këtë ritual.
“Gjithsecili ka të drejtë ta gjejë veten e tij. Ayahuasca të ndihmon të zbulosh të mirën brenda vetes dhe ta shpërndash atë edhe te të tjerët.”
Rrugëtimi i shamanit shqiptar
Historia e tij nis krejt ndryshe. Ish-basketbollisti i kombëtares në Shqipëri, Pirro Papa emigroi në SHBA para 17 vitesh. Ayahuasca hyri në jetën e tij rastësisht përmes një libri. “E lexova termin për herë të parë në një libër. Pastaj nisa të kërkoj, të mësoj, të udhëtoj në Peru, të studioj ritet dhe historinë.”
“Ayahuasca më ndihmoi të gjej veten dhe të zbuloj të mirën tek unë.”
Sot, ai është i martuar, baba i dy vajzave dhe jeton mes dy botëve: asaj moderne dhe asaj shpirtërore. Ayahuasca mbetet një nga praktikat më të debatuara të kohëve moderne: për disa shpresë, për të tjerë rrezik. Por historia e shamanit shqiptar nga SHBA dëshmon se kërkimi i kuptimit të jetës mund të marrë rrugë krejt të papritura. Një udhëtim nga parketi i basketbollit… drejt thellësive të shpirtit.


