Rithemelimi i Partisë Demokratike është shoqëruar me një rihetim nga ana e SPAK-ut lidhur me financimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, deklaroi se çdo donacion është i deklaruar në KQZ dhe se gjithçka është transparente dhe ligjore, por nuk dha detaje lidhur me procesin në SPAK. Hoxha shtoi se Partia Demokratike po rifreskon listat e anëtarësisë për të mos përjashtuar askënd dhe se, sipas tij, PD-ja do të kalojë drejt digjitalizimit të anëtarësisë, për shkak të mospërputhjes mes numrit të anëtarëve të deklaruar dhe pjesëmarrjes reale në votime.
“Duhet të ndajmë financimin e një force politike që është e rregullt nga ana juridike, nga ajo periudhë kur nuk kishim as status financiar dhe as juridik, dhe nuk na njihte askush. Si çdo organizim që vepron brenda kuadrit ligjor, kjo gjë nuk përbën asnjë pengesë.
Çdo donacion për partitë politike është i deklaruar në KQZ, ashtu siç janë mbyllur edhe bilancet për zgjedhjet. Gjithçka është transparente dhe ligjore. Unë jam një nga personat që jam pyetur për çështjen e financimeve dhe, për arsye ligjore, nuk është korrekte që ta komentoj më tej. Nëse nuk do të isha përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces, do ta bëja publike këtu edhe koston e Kuvendit të 11 nëntorit.
Partia Demokratike po rifreskon listat e anëtarësisë. Është rënë dakord që ata që kanë votuar për Bashën herën e fundit, së bashku me ata që kanë marrë pjesë në Foltore, të kenë të drejtën e anëtarësimit. Kjo bëhet për të mos përjashtuar askënd nga PD-ja.
Mua më ishte hequr emri nga listat e PD-së kur isha sekretar i forumit në detyrë. Ka ardhur koha që anëtarësia në PD të digjitalizohet, pasi sot një degë mund të deklarojë 15 mijë anëtarë, ndërsa në votime marrin pjesë vetëm rreth 1 mijë. Mbi këtë problem po ndërtohet një organizim i ri.”, tha Hoxha. / abcnews.al /


