Takimi në Shtëpinë e Bardhë mbi fatin e Groenlandës përfundoi pa rezultate pozitive. Ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës biseduan për një orë me zëvendëspresidentin amerikan HD Vance dhe Sekretarin e Shteti Marco Rubio.
Lars Lokke Rasmussen, tha se ka një mosmarrëveshje themelore me Shtetet e Bashkuara, edhe pse takimi ishte i sinqertë dhe konstruktiv.
Rasmussen theksoi se Presidenti amerikan Donald Trump po këmbëngulte në pushtimin e Groenlandës, gjë që ishte “krejtësisht e papranueshme”.
“E bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Danimarkës. Grupi, sipas mendimit tonë, duhet të përqendrohet në mënyrën e adresimit të shqetësimeve amerikane për sigurinë, duke respektuar në të njëjtën kohë vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës. Mbetet e qartë se presidenti ka dëshirën për të pushtuar Groenlandën”- tha Lars Lokke Rasmussen, ministri i jashtëm danez
Në fund të takimit të gjitha palët ranë dakord të ngrinin një grup pune të nivelit të lartë për të diskutuar të ardhmen e territorit autonom danez.
Rasmussen shtoi se Danimarka dhe Groenlanda ishin të hapura ndaj mundësisë që SHBA të hapnin më shumë baza ushtarake në ishull dhe pranoi se siguria duhet të forcohet kundrejt interesave ruse dhe kineze në Arktik.
Por ai tha se komentet e presidentit në lidhje me praninë e anijeve luftarake ruse dhe kineze rreth Groenlandës nuk ishin të vërteta.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se territori ishte i hapur për bashkëpunim më të madh me SHBA, por gjithashtu kundërshtoi një pushtim të tij.
Vance dhe Rubio nuk bënë komente menjëherë pas takimit. Ndërkohë, Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se ShBA ka nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare.
Sipas Trump, nuk ka asgjë që Danimarka mund të bëjë nëse Rusia ose Kina duan të pushtojnë Groenlandën, por ka gjithçka që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë Danimarka ka shtuar sigurinë rreth ishullit, teksa Europa ka shprehur mbështetjen dhe ka kundërshtuar idenë amerikane për të pushtuar territorin.


