Peter Sorensen, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin të mërkurën dhe enjten, ka konfirmuar Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).
Sipas paralajmërimeve nga Brukseli, emisari evropian pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja shteteve, ndërsa në Kosovë është planifikuar edhe një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.
Sorensen do ta nisë vizitën më 14 janar në Prishtinë, ndërsa një ditë më vonë, më 15 janar, do të qëndrojë në Beograd.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.
Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.
Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.
Vizita e tij po ndodh në një kohë kur Kosova pritet ta ketë një qeveri të re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Brukseli pret që, pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë, procesi i dialogut të ringjallet dhe mbase të mbahet edhe një takim në nivelin më të lartë politik.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është arsyetuar me rrethanat e rënduara politike në të dyja vendet, përfshirë ngërçin politik në Kosovë që karakterizoi vitin 2025 dhe situatën në Serbi si pasojë e protestave të studentëve që po zhvillohen që nga vjeshta e vitit 2024.
Megjithatë, pas rezultatit zgjedhor në Kosovë dhe fitores së qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Bashkimi Evropian vlerëson se janë pjekur kushtet për të synuar organizimin e një rundi të dialogut në nivel liderësh, sapo vendi t’i themelojë institucionet e reja.
Bashkimi Evropian ka apeluar vazhdimisht, përfshirë edhe përmes dokumenteve zyrtare, si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, që të kenë një qasje konstruktive ndaj procesit të dialogut.


