TIRANË- Analisti i njohur, Frrok Çupi, tha se qytetarët e kanë braktisur kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën dhe ky fakt duket qartë tek foltoret që organizon në bulevard, çdo të hënë në mbrëmje.
Ai u shpreh në “Tirana Live” se populli shqiptar e ka kuptuar “fytyrën” e vërtetë të Sali Berishës dhe tashmë po i japin përgjigjen e merituar, duke e lënë të vetmuar në shesh.
Sipas tij, PD ka shkëputur çdo lidhje me qytetarët pasi mbron interesat e një individ, ato të Sali Berishës.
“Ky është një popull dinamik, europian, i cili e kupton ku ndodhet rreziku. Ka shumë vite, që ky popull kërkon me kandil për të gjetur qeverisësin e vet dhe tani që e ka gjetur e shikon që i lë bosh sheshet dhe u thotë: ikni se nuk kemi punë me ju. Partinë që doli nga komunizmi, e lanë me tre qyqarë. Pra, do të thotë se kjo lloj partie e ka shkëputur çdo lidhje me popullin që përfaqëson”, tha ai.
Ai komentoi të dhënat e sondazhit “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News, i cili pasqyroi opinionin e qytetarëve, të cilët konfirmuan se kanë humbur besimin edhe tek partitë e reja.
Sipas Çupit, të dhënat e sondazhit janë realiste dhe tregon se qytetarët e kuptuan se partitë e reja janë pjesë të shkëputura nga Sali Berisha.
“ Pasi u provuan në votimi të shikojmë këto parti të reja, doli që nuk ishin të reja. Këto nuk janë parti të reja, por këta janë parti të shkëputura pjesë pjesë nga Sali Berisha”, tha ai./abcnews.al


