Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin e Javës së Qëndrueshme që po mbahet në Abu Dhabi.
Shefi i qeverisë shqiptare u prit nga presidenti Mohammed bin Zayed Al Nayan, i cili e nderoi me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara.
“E mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij sheikh Mohammed bin Zayed, si edhe për çdo shqiptar që ma ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët.”
Rama e konsideron Zayed një mik të shqiptareve ndërsa ndër vite dy vendet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjes. Me në krye, marrëveshjen tripaleshe mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve për ndërtimin e një linje nënujore për shkembimin e energjisë elektrike përmes Adriatikut janarin e vitit të kaluar.
Samiti i Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara ka bërë bashkë kryetarë shtetesh, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile për të diskutuar mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama;
Thellësisht i prekur prej surprizës së paimagjinueshme dhe nderimit të jashtëzakonshëm nga presidenti i emirateve të bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nayan
Akordimi i medaljes më të lartë të vendit mik, e cila mban emrin e themeluesit të emirateve të bashkuara, sheikut Zayed, është respekti dhe vlerësimi më i madh për një kryeministër shqiptar, që e mora përulësisht plot me krenari për Shqipërinë, e me mirënjohje të thellë për mikun e madh të shqiptarëve, lartësinë e tij Sheikh Mohammed Bin Zayed, si edhe për çdo shqiptar që ma ka besuar udhëheqjen dhe përfaqësimin e atdheut tonë të përbashkët.


