Situata në qarkun Fier vazhdon të monitorohet nga autoritetet lokale, ndërsa lumi Seman ruan nivel të lartë ujit dhe paraqet rrezik për zonat e banimit dhe tokat bujqësore.
Ndërsa infrastruktura kritike dhe rrugët kombëtare dhe rurale janë të kalueshme normalisht, dhe furnizimi me energji elektrike e ujë të pijshëm nuk ka pësuar ndërprerje, lumenjtë po tregojnë dinamikë të ndryshme.
Lumi Vjosa është në kuota normale me tendencë të lehtë në ulje, ndërsa Seman vazhdon të ketë prurje të larta përgjatë gjithë argjinaturave nga Bashkia Lushnje, Roskovec, Patos e Fier. Brenda argjinaturave janë të përmbytura rreth 100 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në fshatrat Mbrostar dhe Petov janë prekur kasolle bagëtish dhe oborre banesash. Rreziku për zonat e banimit nuk është larguar ende në fshatrat Beline, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gercalli dhe Petov.
Nga ana tjetër, lumi Shkumbin është tërhequr brenda shtratit të tij dhe nuk paraqet rrezik për banorët.
Autoritetet lokale dhe hidrovoret mbeten në gatishmëri të plotë dhe vazhdojnë monitorimin e lumit Seman për të parandaluar përmbytje të mundshme. Banorët këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.


