“Rri matanë traut që na vure, miqtë e tu të sotëm kanë larë Kosovën në gjak”: Tenori i njohur, letër Ramës

schedule23:38 - 22 Dhjetor, 2019

schedule 23:38 - 22 Dhjetor, 2019

Pritja e presidentit të Serbisë në Shqipëri, marrëveshja e minis-shengenit dhe më tepër, deklaratat e kryeministrit Rama ndaj liderëve të Kosovës kanë shkaktuar mjaft reagime aty.

Përmes një letre publike, tenori i njohur nga Kosova Ramë Laha shkruan se “Kosova nuk mund të ulet me Serbinë në një tavolinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë pa kërkuar fillimisht falje për krimet e kryera” dhe se “ulja do të bëhej me negociimin amerikan dhe jo të Ramës”.

Ndër të tjera, tenori shkruan se ende janë mijëra të humbur dhe nëna me prehrin bosh për fajin e “miqve të kryeministrit Rama”.

Leta e plotë

Ti ‘kryeministri im’
Marrë parasysh që jam artist, e nuk kuptoj shumë nga politika jote, ‘të më falësh’ se mund të gaboj, sepse unë gjykoj nga dhimbja, rrjedhimisht mund të sjellë këtë përfundim, ndoshta të nxituar për mendjen tënde të ndritur, sepse ti i di të gjitha.

S’ka shumë kohë që si 15 vjeçar, kam ecur mbi njerëz të vrarë e të masakruar, kam lënë shtratin e djepin e fëmijërisë për ta gjetur atë krejtësisht të djegur nga miqtë e tu të sotëm. E shoh se ti nuk e kupton këtë, nuk e ke parë as ne CNN apo ndoshta edhe nëse e ke parë ishe në gjendje tjetër, e gjithçka të është duk si film. Për këtë ndoshta nuk bashkëndjenë me dhimbjen tonë.

Ti, që sot i paske ‘zhveshur trenerkat’ dhe dole në kostum për të respektuar mikun tënd, e vrasësin tim, na ftoje t’i ulemi përballë sikur asgjë të mos kishte ndodhur kurrë. Përveç kësaj më fajëson mua përse nuk darkojë e bëj pazare me të, ti që përveç injorancës dhe ofendimit për secilin që mendon ndryshe nga ti, nuk di tjetër! Ti edhe po deshe,s’të lejojmë që me thundrën tënde të pistë të shkelesh mbi gjakun e fëmijëve dhe dëshmorëve tanë që Kosovën e kanë larë me gjak, në çdo pëllëmbë të saj. Jo ty!

Rri andej kufirit dhe traut që na gjobite, edhe atëkohë kur të sollëm bukën e gojës, sepse ti as shqiptar s’je. S’je asgjë tjetër pos një psikopat që injoron dhimbjen e çdo nëne kosovare që sot prehrin e ka bosh mu shkaku i miqve tuaj.

Andaj duhet ta dish, që me Serbinë ulemi kur ajo të kërkojë falje për fëmijët e pleqtë e masakruar, për të zhdukurit tanë që sot as varrë për të vajtur për ta nuk kemi, për përdhunimet e motrave e nënave tona.
Vetëm atëherë ulemi dhe prapë jo me ndërmjetësimin tënd për Mini Schengen por me praninë e SHBA-së për një Euro-Schengen.

Zoti e ruajtë Shqipërinë, nga shqiptarët si ti!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!