Situata në Urën e Mifolit vijon të mbetet kritike si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të dendura. Gazetari i ABC News, Ertvin Leka, raportoi për emisionin “Real Story” se, megjithëse matjet e fundit tregojnë një rënie të lehtë të nivelit të ujit, rreziku mbetet i lartë.
Sipas tij, shpresat lidhen me ndërprerjen e reshjeve, çka do të sillte uljen e prurjeve nga Memaliaj drejt Urës së Mifolit. Aktualisht, rrjedha e ujit është e rrëmbyer dhe po shkakton gërryerje të argjinaturave, duke shtuar frikën për qëndrueshmërinë e tyre.
Forcat e emergjencave civile dhe gomonet janë në gatishmëri deri në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, raportohet se disa banorë kanë refuzuar të evakuohen, pavarësisht rrezikut. Shqetësimi kryesor në këto momente mbetet nëse argjinaturat do të arrijnë të përballojnë presionin e ujit./abcnews.al


