Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, më i madhi në Europë, është kthyer në një nga pikat më të ndjeshme dhe më të rrezikshme të luftës në Ukrainë. Me gjashtë reaktorë dhe një kapacitet prej gati 6 gigavatësh, ai nuk është vetëm një objekt strategjik energjetik, por edhe një kërcënim potencial për sigurinë bërthamore të të gjithë kontinentit.
Pamjet satelitore tregojnë përmasat e kompleksit gjigant në Enerhodar, në brigjet e lumit Dnipro dhe ish-rezervuarit të Kakhovkës.
“Centrali bërthamor i Zaporizhzhias ishte një central prej 6 gigavatësh. Është i dyti në Europë dhe një nga më të mëdhenjtë në botë”, tha Oleksandr Kharchenko, drejtor i Qendrës Kërkimore të Energjisë, Kiev.
Rusia mori kontrollin e centralit në mars të vitit 2022. Që prej asaj kohe, objekti ndodhet në territor të kontrolluar nga forcat ruse, edhe pse pothuajse të gjitha shtetet e botës e njohin atë si pronë të Ukrainës. Moska ka deklaruar se synon ta lidhë centralin me rrjetin energjetik rus, ndërsa Kievi dhe Perëndimi e konsiderojnë këtë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
“Gjatë viteve të pavarësisë, centrali i Zaporizhzhias u modernizua ndjeshëm. Ai është shumë ndryshe nga centrali i ndërtuar në periudhën sovjetike”, tha Kharchenko.
Pas marrjes nën kontroll nga Rusia, pesë nga gjashtë reaktorët u ndalën, ndërsa reaktori i fundit pushoi prodhimin e energjisë në shtator të vitit 2022. Aktualisht, sipas palës ruse, të gjithë reaktorët janë në të ashtuquajturin ‘shutdown i ftohtë’. Por ekspertët paralajmërojnë se mungesa e mirëmbajtjes dhe prania ushtarake e vazhdueshme po dëmtojnë seriozisht pajisjet.
“Është shumë e rrezikshme, sepse pala ruse nuk ka njohuri të mjaftueshme për të operuar një central të modernizuar si ky”, tha Kharchenko.
Lidhja e centralit me rrjetin energjetik rus nuk është një proces i thjeshtë. Ajo kërkon ndërtimin e linjave të reja të tensionit të lartë dhe shkëputjen fizike nga sistemi ukrainas. Një proces i gjatë, kompleks dhe me rreziqe të mëdha teknike.
“Së pari, ata duhet të ndërtojnë linja të reja të tensionit të lartë. Pastaj ta shkëpusin centralin nga sistemi ukrainas dhe ta lidhin me rrjetin rus. Dhe më pas të zgjidhin çështjen e ftohjes së reaktorëve”, tha Kharchenko.
Rusia e sheh Zaporizhzhian si një burim kyç për të mbuluar mungesat energjetike në jug të vendit. Sipas ekspertëve ukrainas, kjo është arsyeja kryesore pse Moska lufton kaq fort për kontrollin e centralit.
“Për Rusinë, ky central është një burim gjigant energjie që mund të zgjidhë shumë probleme në pjesën europiane të vendit. Nuk është thjesht çështje ushtarake, ata e duan centralin në sistemin e tyre energjetik”, tha Kharchenko.
Një tjetër problem madhor është mungesa e ujit për ftohje, pas shkatërrimit të digës së Kakhovkës në vitin 2023. Rezervuari artificial që furnizonte centralin është zhdukur, duke krijuar një situatë pa precedent në historinë bërthamore botërore.
“Për katër vjet nuk kemi informacion real për shkallën e degradimit të pajisjeve. Nuk ka mirëmbajtje të duhur dhe centrali është në ‘cold mode’, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në botë”, tha Kharchenko.
Në skenën diplomatike, centrali është kthyer në një nga pikat kyçe të planeve për paqe. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar se SHBA kanë propozuar një operim të përbashkët, me një menaxhim amerikan. Ndërkohë, Rusia ka sinjalizuar hapje për një model të përbashkët ruso-amerikan. Por ekspertët e shohin këtë si të parealizueshme.
“Në këto diskutime flasin diplomatët dhe biznesmenët, jo inxhinierët bërthamorë. Ide të tilla duken shumë të çuditshme dhe teknikisht të pamundura për t’u zbatuar”, tha Kharchenko.
Nëse Ukraina do të rimerrte kontrollin e centralit, rifillimi i tij do të kërkonte vite të tëra hetimesh teknike dhe rindërtimin e sistemit të ftohjes, përfshirë restaurimin.
“Do të duhen vite vetëm për të kuptuar çfarë mund të funksionojë dhe çfarë jo. Pa rikthimin e rezervuarit të Kakhovkës, centrali nuk mund të funksionojë plotësisht”, tha Kharchenko.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike vazhdon inspektimet në terren, por situata mbetet e brishtë. Nëse nuk gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e sigurt, Zaporizhzhia rrezikon të mbetet një simbol i rrezikut bërthamor, ajo që ekspertët e quajnë “monumenti më i shtrenjtë i energjisë bërthamore në historinë e njerëzimit”.


