Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili prej më shumë se një viti ndodhet i izoluar në paraburgimin e Durrësit ka reaguar lidhur me leximin e dosjes nga të pandehurit. Ne reagimin e tij Beqaj shprehet se e nisen vitin 2026 duke rihapur publikisht një problem “të vjetër”, të mbartur nga viti ne vit që megjithëse është bazik dhe themelor për një proces të rregullt ligjor, vazhdon të mos zgjidhet.
Sipas tij dosjet dorëzohen në formë elektronike tek avokatët ndërsa i pandehuri përjashtohet nga leximi i dosjes së tij.
“Prej 6 vitesh në Gjykatën e Posaçme po zhvillohen dhjetra procese penale. Dosjet janë me mijëra faqe dhe Prokuroria e Posaçme ua dorëzon ato avokatëve në formë elektronike, në format PDF, ndërsa Gjykatës ia dërgon edhe të printuara.”
Ish-ministri shton se lidhur me kërkesën e tij për mundësimin e një pajisje për të lexuar aktet elektronike të dosjes gjyqësore, IEVP është përgjigjur se pajisje të tilla nuk lejohen për përdorim për arsye sigurie, kontrolli dhe ruajtjeje të rendit të brendshëm.
Sipas Beqajt ligji fajësohet për një ndalim që nuk e parashikon dhe se institucionet shmangin përgjegjësinë dhe se një e drejtë themelore gërryhet çdo ditë, pa zhurmë.
‘Pra, qartazi, as ligji dhe as rregullorja nuk e ndalojnë përdorimin e një kompjuteri pa internet. Çdo pretendim i kundërt është keqlexim, keqinterpretim ose shmangie përgjegjësie.”
Më 27 nëntor Gjykata e Posaçme i dha akses ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj që të dëgjojë audio-regjistrimet e seancave paraprake që janë zhvilluar nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Shkalla e parë e gjyqësorit i vuri në dispozicion Ilir Beqajt njërën prej sallave të Apelit të Posaçëm si dhe administratën e gjykatës, në mënyrë që ai të dëgjojë seancat gjyqësore.
Ish-ministri u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK dhe masë të GJKKO, për dosjen e abuzimit me fondet e SASPAC. Krahas kësaj dosje, Ilir Beqaj akuzohet edhe për koncesionin e “Sterilizimit” në shëndetësi.


