Në mbledhjen e fundit për ketë vit, qeveria, miratoi dhënien e bonuseve dhe shpërblimeve për disa kategori. Kështu, pensionistët me vite të plota pune, që kanë pension deri në 40 mijë lekë, do të marrin një bonus prej 1800 lekësh shtesë në muaj.
Ata pensionistë që kanë të ardhura 22 mijë lekë do të përfitojnë bonus shtesë mujore prej 800 lekësh. Ndërsa pensionistët me të ardhura deri në 18 mijë lekë do të kenë shtesë prej 1 mijë lekësh, duke nisur nga janari i vitit të ri.
Bonus mujor prej 600 lekësh do të përfitojnë dhe invalidët ndërsa 700 lekë shtesë në muaj do të marrin përfituesit e pensionit familjar. Ndërkohë qeveria zyrtarizoi dhe bonusin prej 15 000 lekësh të reja për personat me aftësi të kufizura apo ato familje me ndihmë ekonomike.
Qeveria Rama parashikon që pension urban të arrijë në 40 mije lekë deri në fund të mandatit dhe ai minimal deri në 20 mijë lekë
Një tjetër vendim I qeverisë është dhe kompensimi financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
“Miratuam listën me plot 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pjesën e mbetur prej 30%. Me një fond prej rreth 1.4 miliard lekë, mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Por është diçka me tepër, është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin”, tha Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë.
Qeveria ka vendosur dhe 191.5 milionë lekë në dispozicion për 10 bashki për kompensimin e dëmeve nga zjarret për familjet e dëmtuara.


