Asnjë rast tjetër me fruth nuk është regjistruar pas fëmijës se diagnostikuar një javë më parë, që u shtrua për trajtim në pediatrinë e QSUT. ISHP sqaron se rasti është izoluar pasi fëmija i ardhur nga jashtë Shqipërisë nuk frekuentonte çerdhet, ç’ka ka bërë edhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të virusit, ndërsa prindërit e tij janë të vaksinuar.
Fruthi është sëmundje ngjitëse dhe kryesisht prek fëmijët. Pasojat janë të rënda, deri në humbje jetë. Ka prindër që refuzojnë të aplikojnë vaksinën MMR tek fëmijët, pasi shpesh e lidhin atë me autizmin. Specialistët e Shëndetit Publik sigurojnë qytetarët se kjo vaksinë nuk ka asnjë efekt negativ në organizëm, dhe apelojnë për marrjen e saj sipas planifikimit kalendarik.
Aktualisht mbulesa vaksinale për MMR-në është 92%, por, synimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që mbulesa të arrij në 95%, në mënyrë që të bllokohet qarkullimi i virusit dhe të shmangen shpërthimet e mëtejshme. Gjatë vitit 2025 në vend u regjistruan 18 raste të reja në Fier dhe Tiranë. Numrin më të lartë të diagnostikuarve e mbanin fëmijët e pavaksinuar, ndërsa një pjesë e tyre kishin aplikuar vetëm dozën e parë.


