Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë persona, mes tyre kryeinspektorin dhe tre inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, si dhe persona të tjerë të përfshirë në ndërtim pa leje në një zonë të mbrojtur.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”. Hetimet kanë zbuluar se në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur Kanali i Vivarit, janë kryer ndërtime pa leje ndërtimi dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, në një sipërfaqe të konsiderueshme dhe brenda një zone të mbrojtur.
Kanali i Vivarit është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe gëzon statusin “Monument Natyre”
Prokuroria sqaron se punonjësit e IVMT pranë Bashkisë Sarandë nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për konstatimin e plotë të punimeve dhe nuk kanë marrë masën administrative të gjobës, duke krijuar kushtet për vijimin e ndërtimit të paligjshëm.
Për gjykim janë dërguar:
-
Resul Piro, i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim toke”, “Shpërdorim toke” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”;
-
Personi juridik “Laguna Invest”, i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim toke”;
-
Erton Zekaj, Besian Koci dhe Vangjel Xhavara, inspektorë të IVMT Sarandë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”;
-
Artur Musa, kryeinspektor i IVMT Sarandë në atë periudhë, i akuzuar gjithashtu për “Shpërdorim detyre”.
Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa Prokuroria thekson se hetimet kanë dokumentuar shkelje të rënda ligjore dhe dëmtime të konsiderueshme të mjedisit në një zonë me status të veçantë mbrojtjeje.

