Po kthehet dalë nga dalë në ekip tradite. Napoli edhe pse ka qenë gjithmonë një lavdi e futbollit italian, nuk e ka pasur kurrë statusin e një Juventusi, Interi apo Milani, ndonëse për të tretin sezon me radhë duket se kjo po ndryshon.
Skuadra e atij që quhet “qyteti i këngës”, ia doli të fitonte trofeun e tretë në dy edicione e gjysmë, këtë herë Superkupën e Italisë. Të besuarit e trajnerit Antonio Konte pronësuan një titull që është I treti për nga rëndësia, por që gjithsesi është një kupë që vendoset në kabinetin e trofeve.
Bolonja u mund 2-0 në finalen e luajtur në stadiumin “Al Aual Park” në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Napolitanët luajtën më mirë dhe e merituan suksesin, që u arrit falë dy golave të shënuar nga sulmuesi brazilian, David Neresh në minutat 39’ e 57’.
Kampionët në fuqi të Italisë bënë më shumë, edhe pse Bolonja mbajti topin 51 për qind. Mjafton të kujtojmë se gjuajtjet brenda kuadratit ishin 9-3 për ekipin e Kontes.
Pas titullit në Serinë A të fituar në 2023 me trajner Luçiano Spaletin, dhe sërish titullit majin e kaluar, ja ku erdhi titulli i radhës. Në radhët e triumfuesve, si titullar dhe protagonist edhe kapiteni I Kosovës, Amir Rrahmani, që pati mundësi edhe të shënonte.
Superkupa mund t’u japë më shumë besim napolitanëve për të luftuar për të mbrojtur “skudeton” duke qenë vetëm dy pikë prapa Interit që kryeson Serinë A./abcnews.al

