TIRANË- Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë bonuese për disa kategori të shoqërisë. Lajmi u dha nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.
“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha ministri Malaj.
Ministri u shpreh se një nga vendimet e Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.
Ai pohoi se të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, u shpreh Malaj./abcnews.al

