Policia italiane përmbylli një operacion të madh kundër trafikimit të lëndëve narkotike, duke arrestuar qindra persona.
Oficerët sekuestruan 1.4 ton drogë dhe arrestuan 384 persona të përfshirë në trafik, duke u bërë një nga operacionet më të mëdha të kohëve të fundit.
Veç të arrestuarve janë vënë nën hetim 655 individë, përfshirë 39 të mitur, dhe janë konfiskuar 35 kg kokainë dhe më shumë se 40 armë zjarri, si dhe mbi 300,000 euro në para cash, që besohet të jenë të ardhura nga trafiku i drogës.
Operacioni, i cili përfundoi të premten në disa provinca, çoi në mbylljen e përkohshme të pesë dyqaneve të kanabisit në tre qytete pas 312 inspektimeve.
Gjatë kontrolleve, policia tha se kishte sekuestruar 296 kg produkte kanabisi, të cilat testet fillestare kishin treguar se ishin droga të paligjshme.
Në qershor, Italia miratoi një dekret sigurie që ndalonte të ashtuquajturin kanabis ligjor dhe bënte të paligjshme tregtinë e kanabisit të lehtë, ose kërpit, i cili, ndryshe nga marihuana, nuk ka efekte psikoaktive.
Policia ka identifikuar edhe disa profile në mediat sociale dhe aktualisht po kontrollohen për përmbajtje që mund të lidhen me aktivitet kriminal./abcnews.al

