E ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, avokatja dhe ndërmjetësja e njohur Eni Çobani bëri një nga deklaratat më të forta të kohëve të fundit, duke komentuar aktualitetin politik dhe etikën e përgjegjësisë publike. “Po të isha në vend të Endri Shabanit, dje do kisha dhënë dorëheqjen”, u shpreh ajo pa dorashka, ndërkohë që për herë të parë rrëfeu dhe të vërteten rreth nismës së saj për t’u bërë pjesë e kandidaturave për drejtues të institucionit të Avokatit të Popullit.
Përtej deklaratës së fortë, Eni Çobani u shfaq në një rrëfim ndryshe, larg formalitetit të zyrës së avokatisë, duke treguar misionin që e ka shoqëruar ndër vite: të jetë çelësi i zgjidhjes së halleve ‘made in Albania’. Ajo theksoi se televizioni është një hapësirë ku duhet të transmetohet mençuri, empati dhe përgjegjësi. “Mundohem që gjithsecilit t’i vij në ndihmë dhe t’u tregoj të gjithëve se halle kanë të gjithë. Padrejtësitë më prekin, qofshin të mëdha apo të vogla”, tha Çobani.
Avokatja sqaroi se nuk e sheh veten si zgjidhjen finale të drejtësisë, por si një hallkë të rëndësishme të zinxhirit. Objektivi i saj kryesor mbetet ulja në maksimum e rasteve që përfundojnë në gjykatë, përmes ndërmjetësimit dhe dialogut.
Prej vitit 2011, Eni Çobani është krah Ardit Gjebreas në “E Diela Shqiptare”, ku rubrika “Shihemi në Gjyq” u kthye në një institucion më vete. “Nuk e shoh këtë rubrikë jashtë ‘E Dielës Shqiptare’. Aty lindi dhe aty u rrit. Sa kohë shqiptarët e kërkojnë, do të vazhdojë transmetimi”, u shpreh ajo, duke e cilësuar vazhdimësinë e saj si një zgjedhje të publikut.
Përvoja televizive e Çobanit shtrihet edhe përtej kësaj rubrike, me eksperiencën si moderatore krah Albert Dumanit dhe Sokol Gugës, si dhe pjesëmarrjen në evente madhore artistike si spektakli “Krishtlindje në Tiranë”, ku prezantoi yje kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në rrëfimin personal, Eni Çobani foli me shumë ndjeshmëri për familjen. Djali i saj Aldi mbetet motivi kryesor i suksesit në jetë. “Puna ime shpesh më ka privuar nga qëndrimi i gjatë me Aldin, ndaj jemi shumë të lidhur telefonikisht. I kërkoj ndjesë për kohën që humbasim, por pushimet verore janë ato që na bashkojnë më gjatë bashkë”, tregoi ajo.
Një tjetër dimension prekës ishte rrëfimi për 27 vitet e bashkëjetesës me vjehrrin dhe vjehrrën, një marrëdhënie e ndërtuar mbi respektin dhe vlerat njerëzore. “Ata më kanë dhënë një mesazh të fortë: në jetë duhet të japësh, përveçse të marrësh e të jesh. Vjehrri ndërroi jetë duke më dhënë bekimin e tij dhe unë isha e fundit që i mbylla sytë”, rrëfeu avokatja me emocion.
Modeli i saj i suksesit mbetet i ati, të cilin e kujton me nostalgji. “Janë bërë pothuajse 10 vite pa të, por e ndjej çdo sekondë pranë meje, për t’i thënë se e lartësoj emrin e tij”, përfundoi Eni Çobani.

