Drita dhe Shkëndija mbyllën me humbje fazën e ligës në Konference League, por asnjë dramë. Madje, dy skuadrat e shqiptarëve mund të festojnë, pasi me pikët e grumbulluara më parë, siguruan kualifikimin në fazën e play off të turneut, një arritje kjo historike.
Në sfidën e gjashtë, Drita u dorëzua pa kushte në transfertën spanjolle kundër Rayo Vallecano. Spanjollët dominuan, ndërsa pjesën e parë e mbyllën me epërsinë minimale pas golit të Lejun në minutën e 33-të.
Pas pushimit të zotët e shtëpisë vulosën fitoren me dy gola të tjerë. Gumbau dhe Pacha shuan shpresat e skuadrës nga Gjilani, që me 8 pikë e mbylli fazën e ligës në vendin e 20 në zonën e play off.
Në raundin tjetër do të luajë edhe Shkëndija që mori vendin e 22-të me shtatë pikë gjithsej. Në ndeshjen e fundit, skuadra nga Tetova u mund 1-0 në fushën e AEK Larnaka.
Kartoni i kuq i Latifit në pjesën e dytë prishi planet e tetovarëve, që shtatë minuta nga fundi i kohës së rregullt u ndëshkuan nga vendasit. Por kjo ishte një humbje e ëmbël, ndërsa si Shkëndija ashtu edhe Drita duhet të përgatiten tani për raundin tjetër të turneut./abcnews.al

