Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës këtë të enjte, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.
Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.
Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.
Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.
Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj, por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka dhënë më heërt indikacionet për këtë veprim, duke vlerësuar se komunat duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

