Dan Bongino ka njoftuar se do të largohet nga detyra e zëvendësdrejtorit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në muajin janar.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Bongino përmes një postimi në rrjetin social X, ku ai falënderoi presidentin amerikan Donald Trump, prokuroren e përgjithshme Pam Bondi dhe drejtorin e FBI-së, Kash Patel, për “mundësinë për të shërbyer me qëllim”.
Vendimi vjen pasi presidenti Trump deklaroi se Bongino “ka bërë një punë shumë të mirë” në këtë detyrë dhe se dëshiron t’i rikthehet aktivitetit të tij mediatik si prezantues podkasti.
Bongino u emërua zëvendësdrejtor i FBI-së në muajin shkurt nga Trump. Më herët, ai ka shërbyer si oficer policie në Nju Jork dhe si agjent i Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, ku ishte pjesë e ekipit të sigurisë së ish-presidentit Barack Obama. Në vitet e fundit, ai u bë i njohur për publikun amerikan përmes podkastit dhe daljeve të shpeshta në media.
Emërimi i tij u konsiderua i pazakontë, pasi posti tradicionalisht është mbajtur nga agjentë karriere të FBI-së dhe Bongino nuk kishte përvojë të mëparshme brenda agjencisë. Shoqata e Agjentëve të FBI-së, që përfaqëson rreth 14 mijë agjentë aktualë dhe ish-agjentë, e kishte kundërshtuar këtë emërim.
Gjatë mandatit të tij, Bongino e bëri prioritet hetimin e bombave artizanale të vendosura më 6 janar 2021 pranë selive të partive Republikane dhe Demokratike. Më herët këtë muaj, autoritetet arrestuan një person, gati gjashtë vjet pas ngjarjes.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, vlerësoi punën e Bonginos, duke deklaruar se ai “ka shërbyer si zëri i qytetarëve për transparencë” dhe ka kontribuar në përparime të rëndësishme në çështje të pazgjidhura.
Bongino ka qenë gjithashtu në qendër të debatit publik për qëndrimet e tij të mëparshme lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe vdekjen e Jeffrey Epstein. Pas marrjes së detyrës në FBI, ai ndryshoi qëndrim duke deklaruar se Epstein kishte kryer vetëvrasje, në përputhje me përfundimet zyrtare të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së.
Prokurorja e përgjithshme Pam Bondi deklaroi se “amerikanët janë më të sigurt” falë shërbimit të Bonginos në FBI.

