Skandali i zbuluar me tenderat e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka nxjerrë në pah edhe pengmarrjen e biznesmenit Gerond Mece, i cili u mbajt me forcë për disa orë nga persona të paidentifikuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në garazhin e banesës së tij, ku sipas të dhënave, persona të paidentifikuar të veshur me uniforme policie të vjetra e kanë marrë peng për disa orë, dhe duke qenë nën trysni të kësaj ngjarjeje, biznesmeni Gerond Mece ka hipur në makinë, ku i është mbuluar fytyra dhe është dërguar në një zonë të Elbasanit.
Nga aty, personat ende të paidentifikuar i kanë kërkuar që të telefonojë administratorin me qëllim për të tërhequr ankimin e bërë në KPP. Rezulton se ai ka telefonuar administratorin dhe menjëherë është bërë tërheqja e ankimimeve të dorëzuara për 5 tendera me vlera të konsiderueshme parash.
Pas kësaj, Mece është lënë i lirë dhe ka dalë në rrugë kryesore, ku ka marrë një makinë dhe është nisur drejt banesës së tij në Tiranë.
Duke qenë në presion të vazhdueshëm, Gerond Mece nuk ka bërë kallëzim në polici, por ka lajmëruar ambasadën Gjermane. Pas ngjarjes, ai rezulton se është larguar nga Shqipëria bashkë me familjen.
Po ashtu, rezulton se pas largimit të biznesmenit Mece, kompania nuk ka funksionuar si më parë, ku disa prej punëtorëve kanë filluar punë me kompaninë Soft Solution të Ermal Beqirit, që rezulton në kërkim, së bashku me Ergys Agasin.

