Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me zëvendësdrejtoren e Drejtorisë së Inteligjencës dhe Operacioneve Ndërkombëtare në Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, Vikki Pullen, vizituan qendrën e re të monitorimit, e cila tashmë është në funksion të plotë.
Gjatë fjalës së tij, Proda vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve britanikë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm, si dhe shprehu mirënjohjen për këtë investim të rëndësishëm.
“Ky është një investim me rëndësi të madhe për rritjen e cilësisë së ndjekjes së procedimeve penale dhe një tregues i besimit të ndërsjellë në luftën kundër krimit të organizuar”, tha Proda.
“Teknologjia dhe softueri modern i instaluar në këtë qendër do të forcojnë aftësitë operative, teknike dhe shkencore të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në ndjekjen dhe finalizimin e procedimeve penale”, tha Pullen.
Qendra e re mundëson mbështetje të vazhdueshme me informacion gjatë operacioneve të veçanta policore, rritje të kapaciteteve zbuluese dhe parandaluese, si dhe sigurimin me cilësi të lartë të provave shkencore dhe zbatimin e teknikave moderne të hetimit, në përputhje me zhvillimet bashkëkohore.
Krahas donacionit në pajisje dhe teknologji, u realizua edhe trajnimi i personelit operues.

