Protesta historike e 8 dhjetorit 1990, që shënoi nisjen e lëvizjes studentore dhe rrëzimit të regjimit komunist, vjen sërish në vëmendje këtë të hënë, që përkon me ditën e lëvizjes që synonte të sillte pluralizmin, përmes rrëfimit të analistit Arben Meçe në emisionin “Real Story” në ABC News.
Meçe rikujtoi atmosferën e tensionuar të asaj dite, kur, sipas tij, Tirana dhe qarqet intelektuale ishin tashmë në pritje të një shpërthimi të pashmangshëm.
Ai e përshkruan organizimin e protestës si krejtësisht spontan, një hap drejt së panjohurës, ku studentët dhe pedagogët përballeshin me diktaturën pa dijeni se ku do t’i çonte ajo lëvizje. Meçe theksoi se emocioni i fortë i atyre momenteve kulmoi gjatë takimit me Ramiz Alinë, i cili sipas tij “luajti shumë” në menaxhimin e situatës dhe në vendimin për hapjen ndaj pluralizmit politik.
“Ngjarjet e dhjetorit të studentëve kishin një vazhdim, të një situatë tashme gati-gati të përgatitur në të gjithë Tiranën dhe në të gjitha korridoret intelektuale në të gjithë Tiranën. Të gjithë po përgatiteshin që të shpërthente një gjë. Qoftë edhe një hapje disi. Ngjarjet e dhjetorit ishin kapsolla që e shpërthyen situatën. Natyrisht që emocionet e asaj dite, e asaj vajte te Ramiz Alia janë emocione që nuk të shqiten nga mendja. Ne mund të flasim sot për atë ditë, por atje ku po shkonim ne ishte totalisht e panjohur.
Nëse kishim guxim që të ballafaqoheshim, duke të kemi parasysh që gjithë ajo masë ishte përballë me diktaturën. Gjithë ajo masë i kishte pikëpyetjet e mëdha se ku do të na shpinin me atë autobus. Është një ngjarje e cila natyrisht ka emocione të jashtëzakonshme. Emocionet u transformuan pastaj në hyrjen e ‘Pallatit të Brigadave’, ku edhe atje ishte një emocion goxha interesant. U futëm në disa korridore gati-gati të panjohura, që u kurorëzua pastaj me atë vendimmarrjen që partia vendosi që ta lirojë. Kërkonim diçka që ata donin të na i jepnin.
Ramiz Alia, luajti shumë, ishte një farë goditje edhe ndaj spontanitetit tonë, ne që shkonim atje nuk dinim gjë përveçse dëshirës së madhe të pluralizmit. Por, mund të them që ne gati-gati nuk e njihnim njëri-tjetrin. Ne si pedagogë ishim disi më politikë dhe më të përgatitur. Organizimi ishte absolutisht spontan. Kishte një linjë organizimi, por jo të shpërndarë në fakultete. Fakulteti i ndërtimit që unë u implemtova. U ndanë fakultetet me grupe-grupe”, kujtoi Arben Meçe./abcnews.al

