Në Shkodër, për herë të parë u kryen dy ndërhyrje në zemër duke shmangur hapjen e kraharorit dhe nën udhëheqjen e ekografisë intravaskulare, pajisje që i mundëson kirurgut të shohë se sa e kalcifikuar është arteria dhe si është shpërndarë kalciumi në të.
Ndërhyrjet u kryen live nën drejtimin e Prof. Dr. Aurel Toma dhe Prof. Dr. Florim Cuculi, së bashku me ekipin e kardiologëve intervencionistë të Spitalit Rajonal të Shkodrës, gjatë një konference shkencore ku morën pjesë 80 mjekë të njohur nga trevat shqipfolëse.
“Ishin dy ndërhyrje tek pacientë që kishin arterie tepër të kalcifikuara. Një arterie kur është e kalcifikuar hapet më vështirë dhe ndërhyrja bëhet më delikate. Për të llogaritur sa është arteria e kalcifikuar, metoda më e mirë është të ketë një imazheri intravaskulare për të parë nga brenda arteries së zemrës se sa kalcium dhe në çfarë mënyre është i shpërndarë. Deri tani kjo metodë është përdorur rrallë. Këtu, në të dy rastet, u pa sesi ishte shpërndarë kalciumi dhe si mund ta trajtonim më mirë. Të dy ndërhyrjet kaluan me sukses dhe të dy pacientët përfituan nga këto procedura të ndërlikuara.
Pacienti që trajtova unë ishte 60 vjeçar dhe, në rastin e tij, alternativa do të kishte qenë një by-pass. Edhe pse një zgjidhje e mirë, është më invazive. Ai u trajtua me një stent dhe me një balon me ilaç — trajtim që do të ishte bërë njësoj edhe në Lucern.”
Profesor Doktor Florim Cuculi, shef i kardiologjisë në Qendrën e Zemrës në Lucerne të Zvicrës, apelon për rritje të investimeve me qëllim që ndërhyrje të tilla të realizohen më shpesh edhe në spitalet tona.
“Në Lucern është pak më e gjerë nisma për përkrahje, që edhe spitalet në Shqipëri të pajisen me materiale më të shumta, t’i mundësojnë mjekut t’i trajtojë pacientët me pajisje më të mira. Spektri i materialit duhet të zgjerohet — këtu ka pak hapësirë për përmirësim.
Ne, duke pasur fotografi të qartë nga brenda arteries, arritëm ta trajtonim edhe me atë material që ekziston në Shqipëri. E vlerësuam që ndërhyrja mund të bëhej. Ndonjëherë nuk e vlerëson dot pa imazherinë intravaskulare, sepse nuk e di çfarë ndodh me balonin që përdor, si duhet targetuar trajtimi. Një trajtim i qëlluar dhe specifik për arterien e atij pacienti. E dinim saktësisht ku ishte kalciumi dhe me çfarë diametri duhej ta trajtonim për të pasur sukses.
Qëllimi është që mjekët në Shkodër dhe në Shqipëri t’i bëjnë këto procedura pa ndihmën tonë. Ata nuk i kanë pajisjet që kam pasur unë, por kanë vullnet të madh. Me përkrahjen tonë, do të kryejnë ndërhyrje edhe më të vështira.”
Zemra mban vendin e parë në piramidën e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Sipas mjekëve, nevojat për ndërhyrje të tilla janë të shpeshta edhe në vendin tonë. / abcnews.al /

