Demokracia funksionon mbi një parim të thjeshtë: Askush nuk është mbi ligjin.
Por në Shqipëri, ky parim po testohet në një skenë publike, para syve të të gjithëve.
Kur Prokuroria e Posaçme ngriti dyshimet dhe ndërmori hetime ndaj zëvendëskryeministres, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, më 19 nëntor 2025 Gjykata vendosi pezullimin nga detyra. Një masë e justifikuar me pretendimin e ndikimit në procesin hetimor.
Në letër gjithçka duket e qartë. Shteti funksionon me rregulla. Një institucion vepron, tjetri respekton kufijtë. Por realiteti politik është shumë më kompleks.
Qeveria e çon rastin në Gjykatën Kushtetuese dhe pretendon për shkelje të ndarjes së pushteteve. Argumenti: Vendimi për pezullim nuk i përket Gjykatës. Është kompetencë e kryeministrit.
Kjo është pika ku fillon përplasja. Dhe ajo nuk është një përplasje mes individëve, por mes pushteteve. Kush e ka të drejtën të kufizojë një funksionar të lartë të qeverisë?
Ekzekutivi është i bindur se Gjykata po tejkalon kompetencat. Gjykata dhe SPAK janë të bindur se ligji e mbron hetimin.
Dy lexime të së njëjtës Kushtetutë. Dy interpretime të të njëjtit nen, atij 103 që thotë:
- 1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
- Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
- Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Dhe është pikërisht pika 3 e këtij neni që ka hapur debat. Pra nëse sipas Kushtetutës, një anëtar i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit, atëherë Prokuroria duhej t’i drejtohej më parë Kuvendit dhe jo të merrte vendim.
Dhe Shqipëria, e ndarë mes mbështetjeve politike, bëhet rrëfim i një historie më të madhe: Të drejtësisë që kërkon të fuqizohet dhe pushtetit që nuk dëshiron të dorëzojë influencën.
Në këtë përplasje, secili institucion thotë se po mbron demokracinë. Por mos vallë demokracia po përdoret vetëm si argument? Pas çdo vendimi ka një efekt. Një vendim që duhej të ishte thjesht teknik, bëhet një lëvizje politike.
Tani, gjithë vëmendja kthehet tek një institucion i vetëm që mund t’i japë përgjigje këtij ngërçi: Gjykata Kushtetuese.
Ajo duhet të përcaktojë vijat e kuqe. Ku mbaron fuqia e qeverisë, ku fillon ajo e drejtësisë dhe kush i ruan balancat kur pushtetet përplasen?
VENDIMMARRJE QË SHTYHET
Në çdo demokraci, Gjykata Kushtetuese është roja e fundit. Ajo vendos kur pushtetet tejkalojnë kufijtë e tyre. Ajo garanton që ligji të mos përdoret si armë politike.
Në këtë histori gjithçka zbërthehet pikërisht këtu. Sepse vetëm Kushtetuesja mund të thotë se kush ka të drejtë në këtë rast. Qeveria apo Gjykata.
Por ndërsa debati në media nxehet, Kushtetuesja hesht.
Vendimi vonon. Dhe kjo vonesë nuk është neutrale. Sa më tepër të zgjatet, aq më shumë ndryshon realiteti i pushtetit.
Përballë dy leximeve të kundërta, Kushtetuesja duhet të vendosë kush ka autoritetin final. Drejtësia penale apo politika ekzekutive.
Juristët paralajmërojnë se nëse pushteti ekzekutiv mund të zhbëjë masat e Gjykatës, atëherë cilat garanci ruajnë hetimin ndaj zyrtarëve të lartë?
Por nga ana tjetër, nëse SPAK mund të pengojë funksionimin e qeverisë, a mos po krijojmë një pushtet të katërt, më të fuqishëm se të tjerët?
Këto nuk janë lojëra fjalësh. Janë pyetje që prekin themelet e një shteti.
Ekspertët e së drejtës kushtetuese kanë 3 dilema: Kush vendos pezullimin? Sa i madh është imuniteti i ministrave? A po krijohet precedent i rrezikshëm për të ardhmen?
Në këtë betejë ligjore secila palë argumenton se është mbrojtësja e shtetit të së drejtës. SPAK duke thënë se askush nuk duhet të jetë mbi një hetim dhe Qeveria që thotë se askush nuk duhet të ndërhyjë në pushtetin ekzekutiv.
Në letër të dyja kanë të drejtë. Por vetëm “e drejta” nuk mjafton. Duhet interpretim. Dhe interpretimi i përket vetëm Gjykatës Kushtetuese.
Por sa kohë ajo nuk flet, pushteti i heshtjes rritet. Besimi i publikut dobësohet.
Transparency International paralajmëron se besimi tek institucionet matet edhe me vendimmarrjen në kohë. Shteti nuk mund të qëndrojë pezull, përkohësisht, përgjithmonë.
Në çdo vend europian, konflikti i kompetencave trajtohet pa vonesë, sepse heshtja është vetë përgjigja më e rrezikshme: Nuk ka rregulla të qarta.
Kjo çështje është kthyer në test të së vërtetës. A është Shqipëria gati të ketë institucione që kontrollojnë me të vërtetë njëra-tjetrën apo balanca e pushteteve mbetet vetëm në teori?
Ndërkohë ora ecën, opinioni pret, hetimet vazhdojnë. Dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka folur ende.
Data fillestare e caktuar për një vendim, ishte data 2 nëntor. Por në këtë datë, Gjykata Kushtetuese njoftoi se kishte përfunduar shqyrtimin paraprak të kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Shqipërisë lidhur me çështjen e pezullimit të ministres Belinda Balluku nga GJKKO. Kolegji i Gjykatës u mblodh sipas planifikimit dhe shqyrtoi aspektet formale të kërkesës, si kompetenca, afatet, legjitimimi i kërkuesit dhe rregullshmëria procedurale. Kolegji prej tre gjyqtarësh vendosi që çështja të kalojë në fazën e dytë të procedurës, pra në mbledhjen e Gjyqtarëve, pa marrë një vendim të menjëhershëm për pranimin ose mospranimin e kërkesës. Ky vendim tregon se Kolegji nuk ka arritur një vendimmarrje unanime për ta dërguar çështjen direkt në seancë plenare, por as nuk e ka rrëzuar kërkesën në fazën e parë. Për rrjedhojë, sipas praktikës së Gjykatës Kushtetuese, dosja i kalon Mbledhjes së të gjithë gjyqtarëve, të cilët do të rivlerësojnë kriteret formale dhe nëse ekziston një kërkesë për pezullim të aktit të kontestuar, mund ta shqyrtojnë atë në këtë fazë.
Në këtë pikë të procesit, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar mbi fatin e kërkesës së kryeministrit, por vetëm ka hapur rrugën për një vlerësim më të gjerë institucional. Vendimi përfundimtar i Mbledhjes së Gjyqtarëve, qoftë për mospranim, qoftë për kalim në seancë plenare për shqyrtim në themel, u vendos që të zhvillohej më datë 4 dhjetor 2025.
Por teksa pritej një vendimmarrje, Gjykata Kushtetuese publikoi një tjetër njoftim zyrtar, ku sqaron afatin e shqyrtimit paraprak. Sipas njoftimit, Gjykata ka vendosur që shqyrtimi paraprak nga Mbledhja e Gjyqtarëve të zhvillohet më 12 dhjetor 2025, duke shtyrë kështu çdo vendimmarrje deri në këtë datë.
Gjykata Kushtetuese
Në vijim të njoftimeve të mëparshme për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj. Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla komentoi në një komunikim me mediat nga Kryesia e Kuvendit vendimin e Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Balla u shpreh se është në një linjë me kryeministrin për faktin se Gjykata nuk mund të pezullojë një ministre.
Taulant Balla
Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti i vetëm që bën ligjin në Shqipëri, s’ka autoritet tjetër, mos krijoni lidhje që nuk ekzistojnë. Kuvendi i di detyrat e veta që ka në kudër të këtij procesi. Përmbushja e detyrave të shtëpisë nga Shqipërisë për BE lidhet me legjislacionin. E kam ndjekur këtë gjë në Kroaci në 2009-ën. Nuk po shpikim diçka, por janë disa detyra që duhet t’i bëjë vendi ynë. Janë gjëra që duhet të bëhen me opozitën. SPAK ka bërë një punë të shkëlqyer. Sa i përket rastit në fjalë, kryeministri ka qenë i qartë. Ka pasur një vendim nga GJKKO për pezullimin e një ministri. Në vlerësimin e kryeministrit, por dhe un edhe pas 21 vitesh, mendoj se nuk e ka një kompetencë të tillë gjykata, të pezullojë një ministër, sepse Kushtetua sipas nenit 103, pika 3 e ka barazuar ministrin me deputetin sa i takon imunitetin. Megjithatë, për fat të mirë, rendi kushtetues e ka përcaktuar qartë, që kur ke një ankesë, e çon në Gjykatën Kushtetuese. Të presim Kushtetuesen.
Në këtë vakum institucional shtrohet pyetja: Kush e mbron demokracinë kur institucioni përgjegjës nuk vendos? A është kjo neglizhencë? Apo është pikërisht strategjia? A po shmanget përplasja? Apo po shtyhet qëllimisht duke e afruar vendimin pikërisht me datën kur Altin Dumani përfundon mandatin e tij si drejtues i SPAK.
Sepse, në fund të ditës çdo ditë pa vendim, është një vendim në vetvete.
Por nga ana tjetër, me këtë vendim për shtyrje, vetë Gjykata Kushtetuese po tregon se në fakt nuk po vepron me të njëjtin standard. Ndryshe veproi në rastin e Erion Veliajt, duke marrë në shqyrtim me shpejtësi kërkesën e tij dhe njëkohësisht duke vendosur në favor të tij, ndryshe po vepron në rastin e kërkesës së kryeministrit.
Dy standardet e Gjykatës Kushtetuese janë një tjetër tregues për përplasjen e pushteteve. A po tenton vërtetë gjyqësori të dominojë mbi ekzekutivin, apo të marrë edhe atributet që nuk i takojnë?
KËRKESA NË KUSHTETUESE
Një ditë pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e pezullimit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, konkretisht më 21 nëntor 2025, kryeministri Edi Rama iu drejtua me një kërkesë për vënie në lëvizje Gjykatës Kushtetuese. Objekt i kësaj kërkesë prej 19 faqesh, ishte zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Në pikën e dytë, kërkohet shfuqizimi i vendimit nr.118, të datës 19 nëntor 2025 të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Gjithashtu kërkohet pezullimi i efekteve të vendimit të GJKKO-së, deri në përfundim të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, interpretimin e pikës 3 të Nenit 103 të Kushtetutës, në kuptimin që “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta por edhe legjislacioni procedural.
Kërkesa e Kryeministrit
Me vendimin e saj nr.118, datë 19 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera të caktojë masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë për zonjën Belinda Balluku. Kryeministri vlerëson se vendimi në fjalë është një akt antikushtetues për arsyet e mëposhtme:
- Cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, i cili sipas pikës 3 të Nenit 103 të Kushtetutës, gëzon imunitetin e deputetit.
- Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, të parashikuar në Nenin 7 të Kushtetutës, duke vendosur pezullimin nga detyra të ministrit, si organ kushtetues i një pushteti tjetër dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.
- Ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese, që kryejnë propozimin, emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë.
Për këto arsye, kryeministri kërkon nga Gjykata Kushtetuese që ta shfuqizojë këtë akt, duke zgjidhur njëkohësisht edhe mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet GJKKO-së dhe Kryeministrit, për shkak të faktit që GJKKO, duke vendosur pezullimin e ushtrimit të detyrës së ministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, si organ kushtetues, duke krijuar de facto një situatë juridike të ngjashme me shkarkimin, ka ndërhyrë në veprimtarinë funksionale të Këshillit të Ministrave dhe në kompetencën kushtetuese të Kryeministrit për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrit.
Në kërkesë bëhet edhe shpjegimi mbi legjitimimin e kërkuesit:
Kërkesa e Kryeministrit
Për sa i përket legjitimimit, Kryeministri është një nga subjektet që kanë të drejte të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, bazuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 134 të Kushtetutës. Në pikën 2 të të njëjtit nen, Kushtetuta ka parashikuar se “Subjektet e parashikuara në paragrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h’, dhe “i”, të paragrafit 1 të këtij neni, mund të bëjë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Në rastin konkret, bëhet fjalë për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese për gjykimin e një mosmarrëveshje kompetence, në përputhje me shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 113 të Kushtetutës, e cila ka lindur ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe GJKKO-së nga ana tjetër, për shkak të miratimit nga kjo e fundit të masës së ndalimit “Pezullim të ushtrimit të detyrës”, të dhënë për Zëvendëskryeministrin dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Një pezullim i tillë cenon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, si organ që përbën pushtetin ekzekutiv, në disa nga fushat e përgjegjësisë së tij, konkretisht fusha e përgjegjësive shtetërore e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, miratuar me vendimin nr.508, datë 25 shtator 2025, të Këshillit të Ministrave. Përveçse një pezullim i tillë përbën në vetvete ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Ministrave, si organ kushtetues, sjellim në vëmendje se vendimmarrja në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës krijon gjendje de facto të shkarkimit të tij.
Në këtë mënyrë, ndërhyhet në diskrecionin që Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese i ka njohur Kryeministrit për të propozuar ministra, që ai vlerëson të jenë pjesë e kabinetit të tij qeverisës. Ndërhyrja në pushtetin ekzekutiv nëpërmjet këtij akti shtrihet edhe në shkeljen që ai i bën garancisë së parashikuar në pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës. Duke parashikuar se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit, kjo dispozitë kushtetuese i ka njohur ministrit të njëjtat garanci, përfshirë edhe ato procedurale, që ka edhe deputeti. Garanci, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e vetë ministrit dhe të Këshillit të Ministrave, si organi më i lartë ekzekutiv kushtetues, i pavarur.
Çka do të thotë se në rast se nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, nuk mund të vendoset ky pezullim as për anëtarin e Këshillit të Ministrave, sepse në të kundërt, do të pezullohej vetë veprimtaria shtetërore e ekzekutivit që ai drejton. Në këtë kuptim, garancia e anëtarit të Këshillit të Ministrave nuk përbën thjeshtë interes të vetë individit që ushtron detyrën e ministrit, por të Këshillit të Ministrave, si organ kushtetues, ku ai është anëtar dhe që tashmë për shkak të vendimit me efekt pezullues të GJKKO-së, është penguar në përmbushjen e një sërë kompetencash të veta.
Kërkesa e Kryeministrit
Theksojmë se tashmë Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë në shqyrtim dhe as të nxjerrë akte sipas ligjit nr.9000/2003, për asnjë nismë, në rastin konkret, në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Për të gjitha këto arsye, Kryeministri, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave, legjitimohet për paraqitjen e kësaj kërkesë. Së fundi, për sa i përket legjitimimit, është e qartë që kërkesa paraqitet brenda afatit 6-mujor nga çasti i lindjes së konfliktit. Kujtojmë se vendimi i GJKKO-së mban datën 19 nëntor 2025 dhe i është njoftuar Kryeministrisë në datën 20 nëntor 2025. Mosmarrëveshja e kompetencës shtrohet në dy raste:
- Kur objekti i mosmarrëveshjes është ndërhyrja në kompetencat e një organi kushtetues.
- Kur konflikti i mirëfilltë i kompetencave lidhet me faktin nëse një organ nxjerr akte, që cenojnë sferën e kompetencave të organit tjetër.
Në kërkesë sqarohet me detaje edhe themeli i saj, pra cenimi i imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, sipas pikës 3 të Nenit 103 të Kushtetutës: “Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit”.
Imuniteti i deputetit përbëhet nga të gjitha garancitë kushtetuese dhe ligjore, që i takojnë këtij të fundit, qoftë ato që i sigurojnë mungesën e përgjegjësisë për mendimet dhe vendimet, që jep në ushtrim të funksionit, qoftë ato që i japin mbrojtje të veçantë procedurale gjatë procedimit penal. Në këtë kuadër, në kërkesë theksohet se barazia që ka vendosur Kushtetuta në trajtimin e deputetit dhe ministrit, në kuadër të imunitetit, shtrihet në të gjitha të drejtat procedurale që u takojnë këtyre subjekteve, si për ato që janë parashikuar në mënyrë të shprehur nga vetë Kushtetuta, në nenin 73 të saj, ashtu dhe për ato që përmban ligji procedural penal, konkretisht Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale:
- Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, Gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
- Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Sipas kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, është e qartë se koncepti i “personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral” përfshin në kuptimin e drejtpërdrejtë, deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.
Kërkesa e Kryeministrit
Arsyet përse vlerësojmë se garancia e mësipërme i përket anëtarit të Këshillit të Ministrave, po aq sa edhe deputetit, janë si vijon:
Kushtetuta barazon në aspektin substancial gëzimin e imunitetit të anëtarit të këshillit të Ministrave, në analogji të njëjtë me imunitetin e deputetit. Duke barazuar mbrojtjen ligjore të anëtarit të Këshillit të Ministrave me atë të deputetit, Kushtetuta i ka dhënë të njëjtin kuptim juridik imunitetit për të dyja këto kategori funksionesh dhe për shkak të funksionit të tyre të lartë shtetëror, garantohet edhe një mbrojtje e veçantë ligjore.
Për pasojë, ashtu sikurse anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat garanci të deputetit, sipas nenit 73 të Kushtetutës, po njësoj gëzon edhe garancitë që deputetit i njeh neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.
Garancia e deputetit nga masa ndaluese e pezullimit nga detyra është një e drejtë, që për nga natyra dhe përmbajtja, përfshihen tipikisht në konceptin e “imunitetit”, duke qenë se është edhe kjo një garanci, në kuadër të procesit penal, që buron për shkak të detyrës. Duke qenë norma të së njëjtës natyrë dhe qëllimi, si rregullat e Nenit 73 të Kushtetutës, edhe rregulli i Nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, përfshihen në kuptimin e imunitetit dhe të dyja i nënshtrohen analogjisë së vendosur nga pika 3 e Nenit 103 të Kushtetutës. Nisur nga kjo, pavarësisht se “ndalimi i pezullimit” është i parashikuar vetëm në Kodin e Procedurës Penale dhe jo në Kushtetutë, thelbi i çështjes është barazia në pozitë ndërmjet dy subjekteve, si një rregull kushtetues dhe jo niveli normativ i aktit nga ku buron garancia.
Kërkesa e Kryeministrit
Zbatimi për analogji i Nenit 242 në rastin e ministrit nuk vjen vetëm si një konkluzion i logjikës formale prej Nenit 103/3 të Kushtetutës, por mbështetet në një përligje të arsyeshme, që ka të bëjë me pozitën kushtetuese, respektivisht të anëtarit të Këshillit të Ministrave dhe të deputetit. Prej nga buron edhe vetë motivi përse neni në fjalë i Kushtetutës e ka vendosur këtë “barazim”. Secili prej të dyve përfaqësojnë jo vetëm funksione kushtetuese, por organin më të lartë të pushteteve përkatëse, që përbëjnë bazën e funksioneve ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit, pa të cilët ky i fundit nuk mund të ekzistojë.
Synimi i pikës 2 të nenit 242, ashtu si edhe normat e vendosura në nenin 73 të Kushtetutës, nuk është dhënia e privilegjeve ndaj individit, që ushtron detyrën e deputetit, por sigurimi i kushteve që funksioni kushtetues i deputetit të përmbushet në mënyrë të pavarur. Kjo, duke kufizuar mundësinë që ai të vendoset në kushtet kur nuk mund të ushtrojë dot detyrën e tij.
Në këtë linjë arsyetimi, çdo gjendje që “pezullon” apo kufizon mundësinë e deputetit për të ushtruar detyrën e tij, në bazë të Kushtetutës, mund të vijë vetën në mënyrë të tërthortë, si rrjedhojë e masës së sigurimit personal, që ia bën atij të pamundur de facto që ta ushtrojë atë dhe asnjëherë ndaj tij nuk mund të nxirren akte që synojnë posaçërisht t’i pezullojnë ushtrimin e funksioneve. Për sa kohë që deputeti nuk gjendet në rrethanat që pasjellin përfundimin e mandatit të tij, sipas pikës 2, të Nenit 71 të Kushtetutës, e vetmja mundësi dhe i vetmi rast tjetër që Kushtetuta ka parashikuar se mund ta pengojë atë në ushtrimin e detyrës, është rasti kur ai duhet t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal, që i kufizojnë lirinë, “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”, si masat më të rënda që mund të jepen gjatë procedimit penal. Për pasojë është e qartë që Kushtetuta nuk e lejon pengimin e deputetit për të ushtruar detyrën në asnjë rrethanë tjetër dhe kjo është arsyeja përse ligjvënësi e ka përjashtuar atë së bashku me të zgjedhurit e tjerë nga aplikimi i masës ndaluese “pezullim i ushtrimit të detyrës”.
Në këtë linjë, përderisa ministri është anëtar i organit më të lartë ekzekutiv, është e justifikueshme që ai të ketë të njëjtën garanci në ushtrimin e detyrës së tij, njësoj si deputeti në pushtetin ligjvënës. Nëse u referohemi të zgjedhurve të tjerë, ata janë kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, të cilët gëzojnë mbrojtje të posaçme në ruajtjen dhe ushtrimin e mandatit të tyre, të cilën ua garanton Neni 115 i Kushtetutës, duke rregulluar rastet kur ata mund të shkarkohen për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve.
Duke pasur garanci të tillë, edhe për këta funksionarë të zgjedhur, Kodi i Procedurës Penale nuk mund të parashikonte mundësinë e pezullimit të tyre nga detyra, sepse kjo do të tejkalonte parashikimet kushtetuese në një kohë kur nuk është provuar shkelja e rëndë sipas nenit 115 të Kushtetutës.
Kërkesa e Kryeministrit
Përderisa ligji e ka parashikuar garancinë e mospezullimit nga detyra të kryetarit të bashkisë, sipas Neni 242 të Kodit të Procedurës Penale, do të ishte joproporcionale dhe e paarsyeshme që e njëjta garanci të mos aplikohej për organin ekzekutiv në nivel qendror, ministrin – anëtarin e Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, për sa i përket faktit që pika 2 e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale u referohet vetëm “të zgjedhurve sipas ligjit elektoral” si të përjashtuar nga masa ndaluese, kujtojmë këtu se Kryeministri dhe ministrat, në të vërtetë nuk mund të konsiderohen si funksionarë të zakonshëm të emëruar. Ata emërohen nga Presidenti por i nënshtrohen miratimit nga Kuvendi. Pra, zgjidhen nga vetë organi që përfaqëson sovranin.
Gjejmë rastin të përmendim se edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr.39, datë 23 qershor 2000 të saj, e ka analizuar ministrin si funksionar, që ka të njëjtin trajtim procedural për efekt të imunitetit, si deputet.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, vendimi nr.118, datë 19 nëntor 2025 i GJKKO-së, është një vendim i nxjerrë jo vetëm me interpretim të gabuar të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, por, si rrjedhojë edhe në shkelje të garancisë kushtetuese, të pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës, që parashikon se anëtari i Këshillit të Ministrave gëzon imunitetin e deputetit.
Për pasojë, sipas kërkesës së kryeministrit në Kushtetuese, është i mjaftueshëm edhe vetëm ky shkak për të vendosur shfuqizimin e vendimit të mësipërm të GJKKO-së, si një vendim i papajtueshëm me Kushtetutën.
Më tej, në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese është sqaruar edhe cenimi i parimit të ndarjes së pushteteve, parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës:
Sistemi i qeverisjes së Republikës së Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Kërkesa e Kryeministrit
Ky parim është trajtuar e shtjelluar në mënyrë të përsëritur dhe të zgjeruar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, e cila, në vijimësi është shprehur për të si vijon:
Gjykata ka theksuar se, në bazë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, tri pushtetet qendrore duhet të ushtrohen jo vetëm në mënyrë të pavarur, por edhe në mënyrë të balancuar. Kjo gjë arrihet nëpërmjet zgjidhjeve kushtetuese, që garantojnë kontroll të ndërsjellë dhe ekuilibruar të mjaftueshëm midis pushteteve, pa cenuar dhe pa ndërhyrë në kompetencat e njëri – tjetrit. (vendimi i datës 12.06.2015 i Gjykatës Kushtetuese) Ky parim përfshin pushtetet në rrafsh horizontal, ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe në rrafsh vertikal, pushtet qendror – qeverisje vendore, prandaj, në rastin në shqyrtim, Gjykata do të vlerësojë kompetencat ndërmjet pushtetit legjislativ dhe atij vendor nën dritën e parimit të ndarjes së pushteteve (vendimi i Gjykatës Kushtetuese 29/2021).
Sipas kërkesës së kryeministrit, kjo ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, si dhe të atij legjislativ, sjell për pasojë prishjen e rendit juridik dhe cenon parimin e ndarjes e të balancimit të pushteteve, duke krijuar jo vetëm pezullimin e ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, por njëkohësisht edhe pezullimin e dekretit të Presidentit dhe vendimin e Kuvendit, përmes të cilit ky funksionar politik i zgjedhur ushtron këtë detyrë të lartë shtetërore me përgjegjësi politike përpara zgjedhësve.
Kërkesa e Kryeministrit
Krijimi i një vakance artificiale të përkohshme, të parashikuar në Kushtetutë dhe të ndaluar në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, krijon pasojë në funksionimin e pushtetit ekzekutiv duke sjellë për pasojë mungesën e drejtimit politik në përmbushje të përgjegjësive shtetërore në raport me fushën e përgjegjësisë, që mbulohet nga anëtari i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga Kryeministri, i emëruar nga Presidenti dhe i konfirmuar nga Kuvendi.
Kryeministri si organ i kompetencës propozuese, nuk mund t’i propozojë Presidentit një masë pezulluese për një anëtar të Këshillit të Ministrave, duke qenë se kompetenca e tij kushtetuese është e qartë dhe nuk lë vend për interpretim dhe a vetëm mund të propozojë emërimin ose shkarkimin, ndërkohë që “pezullimi” i një anëtari të Këshillit të Ministrave nuk njihet nga sistemi juridiko-kushtetues i shtetit shqiptar. Mungesa e njohjes dhe e parashikimit nga Kushtetuta e nocionit të “pezullimit” për anëtarët e Këshillit të Ministrave arsyeton pamundësinë faktike të materializimit të këtij nocioni juridik për kabinetin qeverisës, i cili sipas Kushtetutës, është gjithnjë në detyrë në përgjigje të përgjegjësive dhe detyrimeve kushtetuese të ushtrimit të pushtetit ekzekutiv në vend.
Në fund të kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me qëllim pranimin e saj, renditën edhe 10 pikat që Kryeministri rendit në këtë kërkesë:
Kërkesa e Kryeministrit
- Pezullimin e vendimit të GJKKO, derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.
- Në bazë të kompetencave, Gjykata Kushtetuese mund të urdhërojë pezullimin e vendimit të GJKKO, për shkak se prek interesa të larta shtetërore, shoqërore, por edhe të vetë individëve.
- Përmes caktimit të masës së përkohshme, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kërkesën të hyjë në fuqi është i domosdoshëm, pasi mbron sistemin qeverisës në Republikën e Shqipërisë, duke ruajtur funksionalitetin e pushtetit ekzekutiv.
- Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së do të sillte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave.
- Kushtetuta nuk lejon vakumin në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv dhe për rrjedhojë është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që të parandalojë krijimin e një vakance të tillë. Për rrjedhojë është domosdoshmëri që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë në pezullimin e vendimit të GJKKO, në mënyrë që të shmangen pasojat e rënda për shtetin, si rrjedhojë e pamundësisë së funksionimit të Këshillit të Ministrave.
- Është interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit, të ushtruara përmes propozimit, emërimit dhe konfirmimit nga secili institucion, të cilat me vendimin e GJKKO-së janë pezulluar, të vazhdojnë të prodhojnë efekt juridik.
- Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive. Është në interes shtetëror që ky parim të ruhet dhe të mbrohet.
- Pezullimi si ministër apo si zëvendëskryeministër, përveçse shkakton mosfunksionim të Këshillit të Ministrave, pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësive të ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar.
- Interesat individuale të qytetarëve preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pezullimi i funksionimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të vetë Këshillit të Ministrave.
- Duke vlerësuar pezullimin e vendimit të GJKKO të një interesi shtetëror, shoqëror dhe individual, kërkojmë nga Gjykata që të aprovojë kërkesën dhe të bëjë pezullimin derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.
REFORMA NË DREJTËSI
Në një kohë kur Shqipëria është më afër se kurrë drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian, duket se vetë drejtësia e reformuar është kthyer në një problematikë të panevojshme, duke marrë kritika nga kongresmeni amerikan Keith Self. Sipas tij, drejtësia shqiptare që u ngrit për njerëzit nuk po u shërben më atyre.
Kongresmeni amerikan ka ngritur shqetësime për reformën në drejtësi. Ai nënvizoi mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur ndërsa thotë se rezultat aktuale ngrenë pikëpyetje nëse qytetarët po marrin drejtësi të paanshme.
Kongresmeni Keith Self
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur dhe të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Megjithatë, pas dhjetë vitesh zbatimi, është e përshtatshme të rishqyrtohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç është menduar dhe po ofron drejtësi të paanshme për popullin shqiptar.
Kryetari i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme për Evropën të Dhomës së Përfaqësuesve ka evidentuar stokun e lartë të dosjeve të pazgjidhura, vonesat e të cilave, cenojnë edhe besimin e qytetareve tek drejtësia.
Kongresmeni Keith Self
Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë fakti që numri i rasteve të prapambetura në nivel kombëtar është zgjeruar nga afërsisht 16,000 raste në fillim të reformës në rreth 200 000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Vonesa të tilla dëmtojnë sundimin e ligjit, besimin publik dhe procesin e rregullt ligjor.
Aktualisht edhe socialistet kanë propozuar ndryshime në reformën në drejtësi, të cilat parashikojnë korrigjime në dy ligje atë “për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve” dhe “Organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Po ashtu projektligji parashikon që përmes një dispozite kalimtare, deri sa të kryhet procesi i zgjedhjeve të drejtuesve të rinj, kryetaret aktuale të gjykatave dhe prokurorive që nuk kanë një emër të rregullt do të konsiderohen të zgjedhur deri ne 31 dhjetor 2028.
Edhe vonesat në vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese, sidomos për çështje që janë prioritete pasi prekin vetë shtetin, duket se janë një problematikë e gjithë sistemit të drejtësisë.
Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet të mbrojë balancën e pushteteve. Por sa kohë nuk vendos, ai ekuilibër mbetet vetëm në letër. Sot hetimet vazhdojnë në prapaskenë. Qytetarët presin dhe shohin.
Më shumë se një rast i izoluar, kjo është një provë për besimin tek shteti. Kjo çështje nuk ka të bëjë me emra të përveçëm, ka të bëjë me rregullat që do të vlejnë për të gjithë.
Secili prej nesh e di, pushteti ndryshon duar. Sot e ka njëra palë, nesër një palë tjetër. Zgjidhja nuk është të fitojë njëra palë. Zgjidhja është që të fitojë sistemi.
Demokracia nuk ka nevojë për heronj. Ajo ka nevojë për institucione që funksionojnë. Rasti “Balluku” është më shumë se një konflikt kompetencash.
Është një pyetje thelbësore: Kush e mbron shtetin kur pushtetet përplasen? Balanca e pushteteve mbetet sërish në provë. Në pritje të vendimit që Gjykata Kushtetuese për vetë faktin e rëndësisë së çështjes, duhej ta kishte dhënë me kohë.
Por në vend të kësaj vetëm e shtyn një vendimmarrje, me pretekstin e volumit por më tepër me pretekstin e agjendës së saj.

