Ndoshta nuk është hera e parë. Mund të ketë ndodhur edhe më herët që një ndeshje futbolli të mos luhet për shkak të një skandali, madje ka pasur skuadra që janë ndëshkuar me heqje pikësh apo përjashtuar nga kampionati.
Gjithsesi, është një goditje e fortë për imazhin e sportit më popullor të botës kur dy ekipe dalin në fushë dhe janë të sakatuara aq sa të mos pranohet zhvillimi I sfidës.
Kjo ngjau në kategorinë e tretë të Turqisë, ku këtë të shtunë mbeti në tentativë sfida mes ekipit vendas, Jeni Malatiaspor dhe miqve të Ispartës.
Malatiaspori pati mundësi të hidhte në terren vetën 7 lojtarë, duke mos mbajtur asnjë në stol.
Pjesa tjetër, pra shumica, janë të pezulluar për shkak se janë dënuar për pjesëmarrje në trukimin e ndeshjeve, skandal që tronditi Turqinë për shumë kohë.
Futbollistët dolën në fushë, u rreshtuan siç e kërkon rregullorja, edhe pse dihej se nuk do të kishte lojë.
Më pas, bashkë me arbitrat plotësuan procedurat dhe dalë nga dalë u larguan, ndërsa në tribuna nuk kishte tifozë.
Ata e dinin se nuk kishin përse të vinin në stadium këtë të shtunë.

