Me dy vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë është dënuar Lubisha Milkoviç, i akuzuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan më 29 maj të vitit 2023.
Për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, Milkoviq u dënua me 2 vjet burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, kurse për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 6 muaj burgim i cili me pëlqimin e të akuzuarit zëvendësohet me gjobë në shumën prej 14 mijë euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh.
Ai paraprakisht ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale.
“Unë e pranoj fajësinë dhe e pranoj marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, tha ai.
Edhe avokati Milosh Deleviç tha se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe pas konsultimeve të mjaftueshme të të pandehurve me mbrojtësin.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës Lubisha Milkoviç i njohur me nofkën “Lube” akuzohet se më 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në mënyrë që përmes përdorimit të dhunës të sulmojnë dhe kanosin ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të fota, shufra të ndryshme, molotov, gurë dhe mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit.
Nga sulmet mbeten të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it të plagosur, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Perplasja ndodhi pas protestve që ishte thirrur kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në ndërtesën e komunës, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me direktivë të Listës Serbe– partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. /abcnews.al /

