“Presidenti (Donald) Trump dhe Sekretari Hegseth kanë bërë të qartë se grupet e caktuara presidenciale si narko-terroriste janë objekt i sulmeve të ligjshme”, theksoi Leavitt gjatë një konference shtypi të hënën, 1 dhjetor.

Raportimet në media kanë rritur shqetësimet mbi ligjshmërinë e sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe. Hegseth i ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato “të fabrikuara dhe denigruese”. Ai deklaroi edhe mbështetjen ndaj admirali Bradley. “Unë qëndroj pranë tij dhe vendimeve të tij luftarak, për misionin e 2 shtatorit dhe të gjitha të tjerat që nga atëherë”, tha Hegseth.

Në javët e fundit, SHBA-të kanë zgjeruar praninë ushtarake në Karaibe dhe kanë kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës dhe Kolumbisë, si pjesë e një operacioni kundër narkotikëve.

Që nga fillimi i shtatorit, më shumë se 80 persona janë vrarë në këto sulme. Administrata Trump thotë se vepron në vetëmbrojtje duke shkatërruar anijet që transportojnë droga ilegale drejt SHBA-ve.

Këto sulme gjithashtu kanë tensionuar marrëdhëniet me Venezuelën. Trump ka deklaruar disa herë se po konsideron vendosjen e forcave tokësore amerikane në vend, ndërsa gjvënësit amerikanë po e monitorojnë ngushtë situatën.

Gjatë fundjavës, Komiteti i Shërbimeve të Armatosura në Senat tha se do të kryejë “mbikëqyrje të fuqishme” lidhur me sulmet. Senatori Roger Wicker, republikan dhe kryetar i Komitetit, tha se ligjvënësit planifikojnë të intervistojnë “admiralin që ishte në krye të operacionit” dhe po kërkojnë audio dhe video për të parë se çfarë urdhrash janë dhënë.

Komandanti më i lartë ushtarak i SHBA-ve u takua gjatë fundjavës me komitetet e shërbimeve të armatosura të Dhomës dhe Senatit për të diskutuar operacionet në rajon dhe ligjshmërinë e tyre.

Siç shkruan BBC,ekspertët kanë ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e sulmit të dytë.

Në fundjavë, Asambleja Kombëtare e Venezuelës dënoi sulmet e anijeve dhe premtoi të kryejë një “hetim rigoroz dhe të plotë” mbi sulmet e 2 shtatorit. Qeveria venezuelase akuzoi SHBA-të për shtimin e tensioneve me qëllim rrëzimin e qeverisë.

Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës, Tarek William Saab, tha në intervistë për BBC Newsnightse akuza e Trump lidhet me “zili të madhe” për burimet natyrore të vendit dhe kërkoi dialog të drejtpërdrejtë mes dy qeverive për të larguar “atmosferën toksike” që ekziston që prej muajit korrik 2024.

Trump gjithashtu konfirmoi të dielën, 30 nëntor, se kishte zhvilluar një telefonatë të shkurtër me Presidentin Nicolás Maduro, duke i kërkuar të japë dorëheqjen dhe të largohet me familjen e tij.

Maduro kërkoi amnisti për ndihmësit e tij të lartë dhe të lejohej të mbante kontrollin mbi ushtrinë pas dorëheqjes, por Trump refuzoi të dyja kërkesat, sipas raportimeve të Miami Post dhe Reuters.

Zyrtarët amerikanë kanë pretenduar gjithashtu se Maduro është pjesë e një organizate terroriste të quajtur “Karteli i Diejve”, ndërsa ai i ka mohuar këto pretendime.