Sheshi “Skënderbej” u shndërrua në një atmosferë festive mbrëmjen e 29 Nëntorit.
“Nata e Bardhë” mblodhi qindra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, kudo ku flitet shqip.
Simbolet kuq e zi, bënë bashkë të gjitha grupmoshat, duke krijuar një skenë emocionuese bashkimi e gëzimi.
Mes tyre ishte edhe Shpresa Kadriji, e cila kishte udhëtuar së bashku me familjen nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut drejt Tiranës, për të marrë pjesë në festimet e 28-29 Nëntorit.
41-vjeçarja rrëfen se prej vitesh festat e Nëntorit e gjejnë në kryeqytetin shqiptar, ku, siç thotë ajo, atmosfera është gjithmonë më e veçantë.
Mbrëmja kulmoi me performancat e artistëve të njohur e shumë të dashur për publikun, ndër ta Soni Malaj, Lubi B dhe Era Istrefi, të cilët ndezën skenën dhe mbajtën të gjallë atmosferën elektrizuese në zemër të Tiranës.
Eventi solli bashkim, ritëm dhe emocion, duke e shndërruar Sheshin “Skënderbej” në qendrën e festimeve mbarëkombëtare.
“Nata e Bardhë” tashmë është kthyer në një traditë të përvitëshme festimi në kryeqytet në ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Ku qytetarët nën ritmin e muzikës patriotike, por, jo vetëm festojnë deri në orët e mesantës./abcnews.al

