Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Eltoni dhe sekondat që ndalën cinizmin njerëzor

schedule12:26 - 23 Nëntor, 2025

schedule 12:26 - 23 Nëntor, 2025

Nga Roland Lami

Dehumanizmi i sotëm nuk është thjesht humbje e empatisë është një kulturë e re, një estetikë e ftohtë që e sublimon indiferencën në virtyt. Sot nuk jemi thjesht më pak njerëzorë por jemi krenarë për këtë zgjedhje. Kemi ndërtuar një qytetërim ku njeriu i dhimbshëm është i dobët, ndërsa njeriu i pandjeshëm është “efikas”.

Egoizmi nuk është më ves, por filozofi jetese është bërë një religjion i ri ku altari është vetja, liturgjia është interesi personal dhe sakrifica e vetme e lejuar është ajo e tjetrit. Ndoshta kjo është arsyeja pse aktet e altruizmit na duken pothuajse skandaloze sepse na kujtojnë se edhe ne mund të kishim bërë të njëjtën gjë, por nuk e bëmë. Mirësia e tjetrit bëhet akuzë ndaj mosveprimit tonë. Ndaj preferojmë të themi: “Është i çmendur”, sesa “Është më i mirë se unë”.

Historia e Elton Zefit në Padova nuk është thjesht kronikë. Është një dritare e vogël që hapet papritur në murin e trashë të dehumanizmit të sotëm. Një thyerje e qetësisë cinike me të cilën jemi mësuar.Sepse ja ku jemi dhjetëra njerëz në breg, një makinë që fundoset, një njeri që rrezikon të mbytet. Dhe prapë askush nuk lëviz. Askush nuk çan horizontin e frikës, rehatisë, apo kalkulimit modern të riskut. Derisa hyn ai, Eltoni me trupin që i mpin nga të ftohtit, por me një ndërgjegje që i rri ndezur si reflektor.

E aty fillon filozofia e vërtetë, ajo që nuk lind në tavolina letërsie, por në minuta paniku, në ujë të turbullt, mes një jete që shkon dhe një jete që e rikthen. Sepse në fakt, rasti i Eltonit nuk është “etikë”. Është kundër-etikë ndaj etikës së sotme, që na mëson të mos përfshihemi, të mos rrezikojmë, të mos hapim zemrën, të mos humbim kohë “me hallet e të tjerëve”. Ai nuk dha leksion. Ai prishi një leksion që bota na e shpjegon çdo ditë se njeriu i mirë është budalla, se guximi është i pamatur, se altruizmi është defekt.

Një akt i vetëm, i bërë në një çast, ka fuqinë të vendosë në krizë gjithë arkitekturën e paragjykimeve kolektive italiane dhe jo vetëm, sepse etiketimet funksionojnë sa kohë njerëzit sillen sipas pritshmërive tona, por lëkunden sapo dikush pa bujë, pa motiv, pa skenar thyen rregullin e pashkruar të indiferencës. Rasti i Elton Zefit e prish këtë simetri, një njeri që reagon, ndërkohë që turma rri, mjafton për ta bërë çdo stereotip të duket mekanik, i vjetruar, i pambështetur. Dhe pikërisht këtu fillon reflektimi i vërtetë jo mbi atë që bëri ai, por mbi atë që ne presim ose nuk presim nga njeriu sot.

Në fund, ndoshta vlera më e madhe e këtij rasti nuk është heroizmi vetjak, por kujtesa e thjeshtë se njeriu ende ka kapacitet të reagojë përtej vetes. Ato pak sekonda kur dikush zgjedh të hyjë në ujë, ndërsa të tjerët hezitojnë në breg, është momenti kur rikthehet balanca mes asaj që mendojmë për botën dhe asaj që bota mund të jetë. Mbase kjo mjafton një gjest i vetëm që i kujton shoqërisë së lodhur nga dyshimi se humanizmi nuk ka vdekur, vetëm pret dikë që ta zgjoj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!